HomeSociale

Trump takim me bashkëshorten e Guaidos/ Rusia të tërhiqet nga Venezuela

Presidenti amerikan Donald Trump kërkon tërheqjen e ushtarëve rusë nga Venezuela.

Dhjetorin e vitit të kaluar, Moska dërgoi në këtë vend dy avionë bombardues, e së fundi atyre u janë shtuar dhe dy avionë ushtarakë.

Uashingtoni e sheh me shqetësim praninë ruse atje, e kjo u pa fare qartë edhe në deklaratën që shefi i Shtëpisë së Bardhë bëri pas takimit me Fabiana Rosales, bashkëshorten e presidentit të përkohshëm venezuelas, Juan Guaido.

“Rusia duhet të dalë jashtë prej aty”, deklaroi Trump. Më herët, edhe numri dy i administratës amerikane, Mike Pence e kishte bërë të qartë se vendosja e ushtarëve rusë në Venezuelë shihet si provokim.

Departamenti amerikan i Shtetit tregoi po ashtu se nuk do të bëjë sehir teksa Moska shton tensionet në Venezuelë.

Rusia, nga ana e saj, e hodhi poshtë kërkesën e Trumpit dhe e quajti “përzierje në çështjet e brendshme të të dy vendeve”. Sipas zëdhënëses së Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Sacharova, vendosja e ushtarëve në Venezuelë është pjesë e një marrëveshjeje mes dy vendeve për bashkëpunimin ushtarak dhe “në përputhje të plotë” me Kushtetutën venezuelase.

Amerika po përpiqet prej javësh ta detyrojë Maduron të dorëhiqet dhe, i pyetur nëse SHBA-të do të rrisin edhe më shumë presionin, Trump është përgjigjur: Të gjitha opsionet janë në tryezë!


TË NGJASHME