HomeSociale

Tym në kabinë, çfarë ndodhi me avionin e “Blue Panorama”

Autoriteti i Aviacionit Civil thotë se ulja emergjente e avionit “Blue Panorama” dje në mëngjes, erdhi për shkak përhapjes së tymit dhe erës së keqe.

Gjithçka ndodhi pasi solucioni larës i motorit të avionit, proces që kryhet një ditë para nisjes, ende nuk ishte tharë plotësisht.

Avioni “Blue Panorama” me 136 pasagjerë, dje bëri ulje emergjenteRinas, ndërsa udhëtarë në këtë fluturim treguan momentet e tmerrit që kaluan, mes të cilëve kishte edhe fëmijë dhe gra shtatzëna.

“Sot më datë 22 Shkurt 2019 avioni i kompanisë Blue Panorama, nisur nga Aeroporti Ndërkombëtar “Nënë Tereza” në orën 07.38 dhe me destinacion qytetin e Ankonas, Itali, ka bërë ulje të detyruar për shkak të konstatimit të tymit dhe një aromë të rëndë në kabinë pak pas ngritjes. Avioni është rikthyer menjëherë në Aeroport dhe është ulur pa probleme në orën 07:53.

Ekspertët e operimit ajror të Autoritetit të Aviacionit Civil, bënë mbikqyrjen nga afër të punës së teknikeve të avionit për gjetjen e shkaqeve të kësaj ngjarje pas uljes. Nga raportimet paraprake dyshohet që për shkak të larjes së motorit si pjesë e mirëmbajtjes së programuar një ditë më parë, solucioni i larjes nuk ishte tharë tërësisht, gjë e cila ka sjellë edhe tymin dhe erën e rëndë në momentin e ndezjes dhe nisjes.

Në bazë të rregulloreve evropiane, të cilave u referohen dhe autoritetet shqiptare gjatë punës së tyre mbikqyrëse, raporti i ngjarjes, ndërmarrë nga vetë kompania brenda 72 orëve, do t’i dërgohet palës italiane si autoriteti certifikues i kompanisë për të ndjekur hapat e nevojshme.

136 pasagjerët e linjës janë sistemuar në një avion tjetër i cili u nis nga Tirana në orën 10:00 dhe mbërriti në Ankona në 11:56, përfundon njoftimi i Autoritetit të Aviacionit Civil.


TË NGJASHME