HomeLajmi i Fundit

U fsheh në Tiranë, arrestohet bulqizaku i dënuar për vjedhje

Policia e Bulqizës ka arrestuar një 26-vjeçar, të dënuar për vjedhje dhe që kishte thyer lejen e “Qëndrimit të përkohshëm në shtëpi”.

Në pranga ka rënë i riu Elidon Alla, i cili ishte larguar nga banesa e tij në Bulqizë dhe ishte fshehur në Tiranë, duke mos u kthyer më në burg.

Njoftimi i policisë:

Theu lejen e “Qëndrimit të përkohshëm në shtëpi”, kapet dhe vihet në pranga nga Policia 26-vjeçari.

Nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Bulqizë, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit Nr. 4 Tiranë, u bë e mundur kapja dhe ndalimi i shtetasit të shpallur në kërkim:

Elidon Alla, 26 vjeç, banues në Bulqizë, i dënuar më parë për vjedhje.

Gjatë kontrolleve të ushtruara nga shërbimet e Policisë Bulqizë, ky shtetas nuk është gjetur në banesë, duke shkelur kështu Aktin Normativ “Për qëndrimin e përkohshëm në shtëpi të të dënuarve”, pasi për këtë shtetas ishte miratuar leja e veçantë “Qëndrim i përkohshëm në shtëpi”, për periudhën kohore 4 prill-1 korrik 2020.

Pas mbarimit të lejes së përkohshme, ky shtetas ishte larguar nga banesa e babait të tij në Bulqizë dhe fshihej në Tiranë, duke mos u kthyer në vendin e vuajtjes së dënimit sipas afateve të lejes së përkohshme, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë e ka dënuar me 2 vite e 4 muaj e burg, për veprën penale “Vjedhja”.

Pas marrjes së informacionit për vendndodhjen e këtij shtetasi, u organizuan shërbimet dhe në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4 në Tiranë u bë kapja dhe ndalimi i tij.

Materialet i kaluan Prokurorisë Dibër, për veprën penale “Largim i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”.