HomeLajmi i Fundit

U vra dhe iu gjymtua trupi i gazetarit brenda konsullatës turke/ Rihapet gjyqi për 20 fajtorët e ekzekutimit

Bëhet fjalë për vrasjen e gazetarit sudit Jamal Khashoggi i cili u vra në Stamboll në vitin 2018. Turqia ka nisur sërish gjyqin mbi ekzekutimin e tij, ku po gjykohen në mungesë 20 zyrtarë sauditë.

Gazetari i ndjerë ishte kritiku më i madh i princit saudit, Mohammed bin Salman, ndaj ky rast shënon përfshirjen e mundshme të princit në këtë ekzekutim. Khashoggi u vra nga një ekip i agjentëve sauditë brenda konsullatës së Mbretërisë Saudite në Turqi.

Po ashtu është raportuar se torturimi i tij ka vijuar edhe pas vdekjes, ku agjentët e kanë copëtuar trupin e tij.

Nga ana tjetër dy ish-ndihmës të princit Mohammed e kanë mohuar faktin se princi mund të ketë lidhje me situatën, por në anën tjetër një mik i ngushtë i Khashoggit, Ayman Noor, disident politik nga Egjipti ka treguar se shoku i tij është ndjerë i kërcënuar nga njerëzit më të afërt të princit.

Ai ka deklaruar se Khashoggi i ka thënë se është kërcënuar personalisht nga cari i mediave saudite, Saud al-Qahtani.

“Noor ka thënë se Khashoggi ka raportuar se është kërcënuar nga Saud al-Qahtani nga viti 2016”, ka thënë Rebecca Vincent nga Reporterët pa Kufij, teksa ka raportuar nga dhoma e gjyqit.

“Khashoggi ka folur për një bisedë telefonike me Qahtanin kur ai ka qenë duke jetuar në Uashington, duke thënë se ai e di se ku janë duke jetuar ai dhe fëmijët e tij. Nour ka thënë se Khashoggi ka qarë, gjë e cila ka qenë e pazakonshme, dhe se ka qenë i frikësuar”.

Arabia Saudite ka refuzuar që të ekstradojë të akuzuarit, në Turqi, por ka dënuar 8 prej tyre lidhur me këtë vrasje afro një vit më parë. 5 prej tyre janë dënuar me vdekje, ndërsa 3 të tjerët janë dënuar me burg.

Raportuesja Speciale e Kombeve të Bashkuara, Agnès Callamard, ka deklaruar se ky gjykim i realizuar në saudit ka qenë “antitezë e drejtësisë”, madje ajo shton se, Khashoggi ka qenë “viktimë e një ekzekutimi të paramenduar”, për të cilin është përgjegjës i gjithë shteti saudit.