HomeLajme

UEFA Conference League në Tiranë: Si do të ndikojë për Shqipërinë?

Stadiumi “Air Albania” do të mirëpresë finalen e UEFA Europa Conference League që do të zhvillohet mes ekipit italian të Romës dhe skuadrës holandeze Feyenoord. Një finale e kësaj kategorie zhvillohet për herë të parë në vendin tonë dhe padyshim ka ngjallur interesin e njerëzve, përfshirë këtu edhe pasiguritë pas incidenteve të mbrëmjes së djeshme.

Si do të ndikojë kjo ngjarje për vendin? Sipërmarrësit e konsiderojnë si një ngjarje që do t’i japë një tjetër ritëm fillimit të sezonit veror dhe janë disa kategori biznesesh të cilat do të përfitojnë më shumë nga ky event. Kategoritë e bizneseve më të favorizuara janë: akomodimi (rritja e çmimeve të hoteleve dhe shtëpive me qira), transmetimi (Digitalb ka të drejtat e transmetimit), kompanitë importuese ose prodhuese të birrës.

Fusha e turizmit pritet të përjetojë një ndikim pozitiv. UEFA prezantoi Tiranën duke zgjedhur pikat kryesore të kryeqytetit. Ekspertët e turizmit janë shprehur optimistë për faktin që finalja e Conference League do të shërbejë si një reklamë e mirë për Shqipërinë.

“Ushqimi është shumë i mirë. Njerëzit janë shumë miqësorë. Do të kthehem sërish,” tha një tifoz holandez për Euronews. “Morëm një shtëpi me qira dhe pronari na solli fruta. Ishte e mrekullueshme. Mikpritja është e mrekullueshme,” thanë disa tifozë të tjerë për mediat. “Klima është shumë e mirë,” thanë disa të tjerë.

Mega-ngjarjet sportive kanë qenë prej kohësh një mjet për të prezantuar identitetin kombëtar dhe finale të tilla paraqesin mundësinë për të prezantuar suksesshëm veten.

Shtojmë gjithashtu se vendet pritëse të ngjarjeve të tilla duan t’i përdorin këto ngjarje për të treguar se mund të merren në konsideratë për projekte të mëtejshme. Kështu që kjo finale dhe gjithë çfarë vjen më pas (menaxhimi i konflikteve të mundshme mes grupeve të tifozëve pas përfundimit të ndeshjes) është një provë për Tiranën dhe Shqipërinë.


TË NGJASHME