HomeSport

UEFA dënon Shqipërinë, shkak vërshëllimat gjatë himnit të Francës

Vërshëllimat e tifozëve shqiptarë gjatë ekzekutimit të himnit kombëtar në ndeshjen kundër Francës, kanë bërë që Komisioni i Disiplinës të gjobisë me 5 mijë euro Federatën Shqiptare të Futbollit.

Por, Disiplina nuk është mjaftuar me kaq, teksa ka vendosur të gjobisë Shqipërinë me 18 mijë e 250 euro gjobë, për shkak të sendeve të hedhura në fushën e lojës, si dhe mbylljen e dyerve dhe daljeve në fushë të tifozëve gjatë sfidës, gjë kjo që vë në rrezik sigurinë e tyre në rast të një incidenti. Pra në total FSHF është gjobitur me 23 mijë e 250 euro dhe duhet të paguhen 90 ditë pas publikimit të vendimit. Një shumë kjo e konsiderueshme, duke ditur buxhetin e vogël që institucioni i futbollit shqiptar ka.

Ndërkohë, në Komisionin e Disiplinës së UEFA-s ka përfunduar edhe trajneri i Shpresave, Alban Bushi. Ky i fundit ka vonuar fillimin e ndeshjes përballë Anglisë U21 dhe për këtë arsye është paralajmëruar si ai, ashtu edhe FSHF, që në rast përsëritjeje të kësaj situate, do të përballet me sanksione disiplinore. Vendimet e tjera UEFA ka gjobitur për herë të tretë këtë sezon klubin e Sëlltikut për ndezjen e flakadanëve në sfidën e 7 nëntorit të fazës së grupeve të Europa Ligës 1-2 ndaj Lacios në Romë.

Dhoma e Disiplinës, Etikës dhe Kontrollit Sportiv, detyron klubin skocez të paguajë 15 mijë € për shkeljen e rregullores së mbarëvajtjes së takimeve. Në dy raste të tjera të ndeshjeve të Europa Ligës, “The Boys” janë gjobitur me 12.500 € për problemet e shkaktuara me AIK Stokholmin dhe 15 mijë € për shpalosjen e banderolave dhe koret ofenduese në takimin e 24 tetorit po me Lacion. Edhe Lacio nuk i ka shpëtuar penalizimit nga UEFA teksa është gjobitur me 9250 € për hedhjen e sendeve shpërthyese në fushë në ballafaqimin me skocezët.


TË NGJASHME