HomeSport

UEFA shtang Partizanin dhe Tiranën

A shlyhen kartonët në ndeshjen me Kamzën apo jo? A shlyhen dënimet e Disiplinës për stadiumet e mbyllura në javën që duhej të luaje me një skuadër të përjashtuar nga kampionati? Kjo futi në ankth disa klube, të cilat shpresuan shumë se ndeshja me Kazmën mund të përdorej për të shlyer dënime nga më të ndryshmet.

Nuk ishte një pretendim më kot, sepse klubet iu referuan Nenit 19, pika 3, të Kodit të Disiplinës së FSHF-së, i cili thotë se: “Nëse pezullimi do të kryhet i shprehur në numër ndeshjesh, atëherë do të numërohen vetëm ndeshjet e zhvilluara. Nëse një ndeshje është braktisur, ose ndërprerë, ose e përfunduar në tavolinë, pezullimi do të konsiderohet i kryer (numëruar me një ndeshje) vetëm nëse ekipi i lojtarit, i cili është ndëshkuar me pezullim, nuk rezulton shkaktar për braktisjen, ndërprerjen apo përfundimin në tavolinë të ndeshjes”. FSHF u kap e papërgatitur në këtë rast dhe duke mos dashur të gabojë, kërkoi edhe eksperiencën e UEFA-s.

“Panorama Sport” e trajtoi këtë çështje e para, me rastin e futbollistit të Tiranës, Dorian Kërçiku, i cili kishte marrë katër kartonë të verdhë dhe pretendonte që të mërkurën (kur duhej të luante me Kamzën) t’i shlyente kartonët. FSHF nuk dha asnjë përgjigje. Ajo iu drejtua me një letër UEFA-s.

Përgjigjja e UEFA-s Pas ndeshjeve të kampionatit që u luajtën të mërkurën, me po të njëjtin problem u përball edhe Partizani, pasi Ibrahimi plotësoi numrin e kartonëve dhe të kuqtë këtë fundjavë janë pushim, pasi do të duhej të luanin me Kamzën. Të dyja klubet po bëheshin gati që lojtarëve të tyre t’u hiqej kartoni pas javës bosh (ndeshjes që duhej të luanin me Kamzën). Por ja që nuk do të ndodhë kështu. UEFA, në një letër që i ka dërguar dje Federatës Shqiptare të Futbollit, i ka bërë me dije se java kur duhej të zhvillohej ndeshja me ekipin, që tashmë është përjashtuar nga kampionati, nuk mund të përdoret për shlyerjen e dënimeve disiplinore. UEFA e ka bërë sqarimin e saj në formën e sugjerimit, duke mos dhënë urdhra të prerë. Ajo, mandej, ka argumentuar edhe qëndrimin e saj për këtë rast. /panoramasport


TË NGJASHME