Aktualitet Lajme Politikë

“Unaza e Madhe”, në tetor zgjidhje për shpronësimet. Ja ç’thotë ministrja Balluku

Protestat e vazhdueshme në zonën e “Astirit” në kryeqytet kundër projektit për ndërtimin e “Unazës së Madhe”, kanë detyruar qeverinë “të ulet” dhe të rishikojë ligjin e shpronësimeve.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, tha dje se është ngritur grupi i punës, i cili brenda muajit tetor do të dalë me një propozim konkret, që do të shërbejë si zgjidhje për këtë problem, por edhe të tjerë që mund të lindin nga proceset shpronësuese.

“Besoj se brenda muajit tetor do t’u jepet një zgjidhje e mirëfilltë të gjitha proceseve të shpronësimeve që ne kemi dhe atyre që do të vijnë, pasi, siç e dimë, të gjitha projektet e reja që ne hapim, kanë gjithmonë një pjesë të madhe dhe të rëndësishme që ka të bëjë me shpronësimet, si nga ana e buxhetit, ashtu edhe nga ana e procedurave legale që krijojnë vonesa. Por ne tashmë kemi nisur një proces brenda qeverisë me disa nga aktorët dhe ministritë e përfshira për ta zgjidhur këtë problem njëherë e mirë dhe afatgjatë, kështu që kjo është shumë e rëndësishme”, tha Balluku gjatë inspektimit të punimeve që po bëhen në pjesën lindore.

Ministrja e konsideroi projektin për ndërtimin e “Unazës së Madhe” një investim me rëndësi, që do të bëjë të mundur jo vetëm lehtësimin e qarkullimit për automjetet, por edhe rikualifikimin e zonave pranë të cilave kalon.

“Është shumë e rëndësishme që këtu nuk kemi të bëjmë thjesht me një rrugë për automjetet, por kjo është një zonë që rikualifikohet e gjitha. Kemi sistemimin e shtratit të Lanës, krijohet një pjesë për këmbësorët, pra, trotuaret janë një pjesë e rëndësishme e projektit dhe kjo nuk është thjesht një rrugë për t’u aksesuar nga automjetet, por do jetë një pikë ku të gjithë banorët e zonës, por edhe banorë nga zona të tjera mund ta aksesojnë”, vuri në dukje më tej ministrja.

Në pjesën lindore të “Unazës së Madhe” të Tiranës, projekti parashikon hapësira të gjelbra për qytetarët, trotuare, sistemimin e shtratit të Lanës si dhe ndërtimin e 5 veprave të artit.

Related posts

Boursorama: Ia vlen të zbuloni sharmet e Shqipërisë

Klaudia gotanews

Ruçi paralajmëron institucionet: Nëse s’keni rezultate…

Xhensila Gotanews

Sfilatë përrallore, nuk e keni parë kurrë më parë

Klaudia gotanews
Na Kontaktoni!