HomeLajmi i Fundit

Universitetet/ Drejtori i RASH-it: 17 degë me zero studentë

Viti i ri akademik i ka gjetur universitetet me më pak studentë dhe programe studimi.

Llogaritjet e para të Rrjetit Akademik Shqiptar, i cili ka ndërmjetësuar të dhënat midis maturantëve e universitetit, flasin për 21 mijë studentë, një mijë më pak se vitin e kaluar, si dhe 17 degë që nuk hapen, pasi kanë zero regjistrime në të tria raundet.

Nga tabela e kuotave të lira në faqen e U-albania numërohen plot 30 programe studimi, që as i afrohen numrit minimal të studentëve që duhet të ketë një klasë për t’u hapur, ndërsa më shumë se gjysma e tyre nuk kanë tërhequr interesin e asnjë të riu dhe zyrtarisht mund të quhen të mbyllura. Drejtori i RASH-it, Arjan Xhelaj, thotë se bëhet fjalë për degë të vështira mësuesie, kryesisht në universitetet e rretheve.

“Në total, te mësuesia, numri i atyre që kanë aplikuar nuk ka një ulje. Por në degë të veçanta, kryesisht janë prekur shkencat e natyrës si kimi, fizikë, matematikë, në rrethe ka pak regjistrime. Në Shkodër, dega e Fizikës nuk kishte regjistrime. Ka disa degë specifike, që hyjnë në degët e vështira të mësuesisë, ku ka një numër të limituar se nuk ka regjistrime”.

Nga lista e programeve që kanë më pak se pesë studentë,(të veçuara në tabelën përbri) bie në sy kriza në profilin e Arsimit Parashkollor, që pas tri vitesh i bie të diplomojë vetëm dhjetë studentë në Universitetin e Shkodrës e nëse vazhdon edhe vitin e ardhshëm, pa frikë mund të shkohet drejt një krize për mësues të tillë e madje, edhe për mësues të Ciklit Fillor. Që një degë të mos hapet, duhet të mos ketë asnjë student për dy vite rresht. Vitin e kaluar rezultojnë plot 17 programe me zero studentë për herë të parë, por nuk dihen sa prej tyre nuk kanë as këtë vit regjistrime që të deklarohen të mbyllura, sipas ligjit.

Ata që janë regjistruar në degët që mbyllen për shkak se nuk plotësojnë numrin minimal, transferohen në profile të ngjashme brenda të njëjtit fakultet. Nivel i kënaqshëm regjistrimesh edhe këtë vit ka njohur Mjekësia dhe Sportet, të ezauruara plotësisht.

“Kemi një ecuri të mirë në Universitetin e Tiranës dhe universitetet e mëdha të rretheve. Besoj që janë ezauruar dhe plotësuar të gjitha dëshirat e maturantëve. Kush donte të vijonte shkollën, ka pasur mundësi në këto tri raunde të aplikimit të regjistrimit për të vijuar studimet e larta”, pohon Xhelaj.

Këtë vit, nga bankat e gjimnazeve kanë dalë mbi 36 mijë e 500 maturantë. Nga këta, jo të gjithë u janë drejtuar universiteteve. Së paku, jo atyre vendëse. Një shifër jo e ulët janë deklaruar ngelës, të tjerë mbetën në provimet e Maturës, ndërsa një numër i konsiderueshëm zgjodhën shkollimin jashtë vendit.

deget-qe-mbyllen

PANORAMA