HomeLajmi i Fundit

Vdes miliarderi që tronditi politikën amerikane

Vdiq në moshën 89 vjeçare Ross Perot, miliarderi i Teksasit i cili tronditi politikën amerikane me dy fushata presidenciale si i pavarur në vitet 1990.

Në prill 2019, pasuria e zotit Perot u vlerësua në 4.1 miliardë dollarë nga revista Forbes.

Ross Perot ishte një shitës i lindur, i cili u pasurua me biznesin e tij të shërbimeve kompjuterike. Si politikan, zoti Perot ishte i pazakontë dhe jo-konvencional. Ai ishte i shkurtër, i mbante flokët të qethura shkurt, fliste me një gjuhë popullore dhe përdorte një dialekt të spikatur teksan. Shpesh bënte shaka me veshët e tij të gjatë.

Ross Perot i thoshte gjërat hapur dhe suksesi në biznes i jepte siguri në debatet politike.

Perot ishte mjaft aktiv dhe me shpirt luftarak, aq sa kur dy nga punonjësit e tij u burgosën në Iran në vitin 1978, organizoi një ekip komandosh të përbërë nga punonjës të tij për t’i shpëtuar, madje punësoi një kolonel të Beretave të Gjelbra për këtë qëllim.

Zoti Perot hyri në garën presidenciale të vitit 1992 si i pavarur dhe shpejt gjeti një segment mbështetësish të cilët ishin ftohur nga partia republikane dhe ajo demokrate.

Tema e tij kryesore në debate ishte frenimi i shpenzimeve qeveritare që rrisnin deficitin kombëtar, për të cilin pak flitej në publik.

Fushatën e tij ai e financonte kryesisht me paratë e veta. Vetëm 5 muaj para zgjedhjeve të vitit 1992, zoti Perot arriti të kryesojë anketat e Gollup me 39 përqind, krahasuar me 31 për qind për republikanin George H.W. Bush dhe 25 përqind për demokratin Bill Clinton. VOA