HomeSport

Vendimi i UEFA për Manchester City, gati përjashtimi i kampionëve të Anglisë

Afrohet afati i shpalljes së vendimit të UEFA, në lidhje me dënimin ose jo të Manchester City për akuzat për shkeljen e Fair Play Financiar.

Vendimi, pritet të jepet së shpejti dhe me shumë mundësi, Manchester City do të përjashtohet një sezon nga kompeticionet europiane. E përditshmja angleze “Daily Mail”, ka bërë një analizë, ku sipas saj nuk do të jetë vetëm Manchester City ekipi që do të preket nga vendimi i UEFA.

Në nëntor të 2018-ës, e përjavshmja gjermane “Der Spiegel” publikoi disa emaile me burim platformën “Football Leaks”, që tregonin për kontrata sponsorizimi fiktive me kompaninë ajrore të Emirateve, “Etihad”, për të maskuar investimet direkte të pronarit, sheikut Mansur.

Në një e-mail thuhej se nga një kontratë sponsorizimi prej 67.5 milionë paundësh, mes City dhe “Etihad” për sezonin 2015-16, vetëm 8 milionë paund ishin derdhur direkt nga llogaria e kompanisë së fluturimit, sepse 59.5 milionët e tjera vinin nga Grupi “Abu Dhabi United”, kompania e Mansurit, e cila administron klubin e City.

City ka mashtruar UEFA, duke thyer rregullat e “Fair Play-t Financiar” për limitin që klubet mund të shpenzojnë, duke injektuar miliona ekstra artificialisht, për shmangur kontrollin financiar. Megjithatë, drejtuesit e klubit këmbëngulin se nuk kanë bërë asgjë jashtë rregullave dhe e kanë çuar çështjen për gjykim në CAS. Sido që të jetë, kjo gjë nuk e ndalon UEFA që të dali me vendimin e saj, që me shumë mundësi do të jetë përjashtimi një vit nga kompeticionet europiane.

Ky është një lajm i mirë për të paktën një klub rival anglez. Për shkak të proceseve të gjata gjyqësore, City mund ta shlyej përjashtimin nga kompeticioni jo këtë sezon, por atë të pasardhës (2020-2021). Dhe nëse kjo ndodh, atëherë skuadra e radhës më poshtë në renditje në Premier League i zëvendëson ata. Me renditjen e sezonit aktual është Arsenali i vendit të pestë që duhet të shkojë në Champions.

Kjo do të thotë se do të hapet edhe një vend ekstra në Champions League. Megjithatë, këto janë vetëm skenarë me sikur. Në maj, vendimi i UEFA-s pritej të ishte çështje ditësh. Por tani ka kaluar një muaj më shumë dhe duke qenë se “qytetarët” e kanë dërguar edhe çështjen në CAS, kjo betejë ligjore pritet të shtyhet përtej kësaj vere.


TË NGJASHME