HomePolitikë

Veseli: Jap dorëheqjen nëse është e vërtetë

Kryetari i parlamentit të Kosovës, Kadri Veseli, hodhi poshtë të enjten çdo mundësi për përfshirje të tij në ndonjë rast të krimit të organizuar, ndërsa u zotua se do të jap dorëheqje nëse një gjë e tillë del e vërtetë.

Ai i bëri këto komente në një konferencë të jashtëzakonshme për gazetarë, pas lakimit të emrit të tij në një video regjistrim të publikuar në mediet vendase, ku shihen disa persona ten numëronin para që dyshohen të jenë pjesë e mashtrimeve dhe krimit të organizuar.

Videoregjistrimi u publikua pas një operacioni të policisë së Kosovës në fillim të kësaj jave për arrestimin e një grupi të dyshuar për vepra kriminale dhe fajde.

Sipas policisë, personat e arrestuar nën dyshimet pë veprat penale ‘fajde’, ‘detyrim’ dhe ‘mashtrim’, në mënyrë të paligjshme kanë përfituar mbi 2 milionë euro.

Kryetari i parlamentit, Kadri Veseli, tha se nuk ka të bëj asgjë me këtë rast dhe as me personat e përfshirë në këtë rast. Ai thotë se ky është një rast klasik i mashtrimit dhe i manipulimit.

“Dua t’iu siguroj se nëse del vetëm një indikacion i përfshirjes sime në këtë aferë unë nga sot deklaroj që do të jap dorëheqje, ky është morali im, ky është besimi im jetësor, kjo është politika ime. E them me siguri të plotë që emri im është keqpërdorur në këtë akt kriminal të mashtrimit. Kur të dal e vërteta e kësaj atëherë dikush duhet të jap llogari penale dhe institucionale, pavarësisht a janë pjesë e policisë apo e sistemit të drejtësisë ose të politikës”, tha zoti Veseli.

Zoti Veseli tha se njerëzit që shihen në videon e publikuar nuk i njeh, ndërsa nënvizoi se ky rast kërkon sqarime që lidhen me funksionimin e organeve të zbatimit të ligjit në Kosovë.

“Si është e mundur që për këtë rast të krimit të organizuar që paska pasur fakte në vitin 2013 të ndërmerren veprime me gjashtë vjet vonesë. Kush është ai, ajo ose ata që e kanë mbuluar këtë krim të organizuar më shumë se gjashtë vjet, kujt dhe për çfarë llogarie iu paska dashtë kjo vonesë që ka mundësuar edhe mbulimin dhe mos dënimin e veprave penale”, tha zoti Veseli, duke këkruar veprime institucionale për siç tha rastin e fshehur për shumë vjet.

“Videoja shpërfaq krimin në mënyrë të hapur, të qartë për secilin qytetarë e lëre më për organet tona të drejtësisë. Këtu kemi të bëjmë me dy krime, me krimin e bërë dhe krimin e fshehur. Gjashtë vjet të mbahet krimi i fshehur dhe mos të dënohet është krimi më i madh. Pa asnjë dyshim shihet qartë se kjo është një skemë e krimit të organizuar dhe po ju siguroj që kësaj pune do t’i shkohet deri në fund”, tha zoti Veseli.

Videoja e publikuar ngjalli reagime ndërsa lëvizja Vetëvendosje kërkoi dorëheqjen e Kadri Veselit në mënyrë që t’u hapet rrugë hetimeve.

“E gjithë Kosova, e gjithë bota e di se po të vërtetohet që Veseli është pjesë e rastit kriminal, nuk shkon në dorëheqje por drejt e në burg. Dorëheqja është akt moral, që bëhet për t’u hapur rrugë hetimeve. Pra, kur emrin ta përmendin si kërcënim për fajde, duhet të jetë dorëheqja para hetimeve, e jo hetimet para dorëheqjes”, thuhet në komunikatë.

Kadri Veseli, i njohur me nofkën Luli, deri në vitin 2008 drejtonte Shërbimin Informativ të Kosovës, një organizatë e zbulimit e themeluar gjatë luftës në Kosovë, që është gjetur shpesh nën kritikat e partive politike rivale të PDK-së, të cilat e lidhin SHIK-un me veprimtari kriminale të periudhës së pasluftës. Pohimet e tilla janë hedhur poshtë vazhdimisht nga zoti Veseli.


TË NGJASHME