HomePolitikë

Vetingu për Gentian Osmanin, provat rrëzojnë tri denoncimet

Kolegji i Posaçëm i Apelimit dëgjoi këtë të hënë parashtrimet e Komisionerit Publik për provat e paraqitura nga anëtari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë Gentian Osmani, ndërsa në fund nuk ndryshoi qëndrim në lidhje me shkaqet e ankimit.

Më tej, gjatë seancës së djeshme, relatorja e trupit gjykues u vuri në dispozicion palëve përgjigjen e kthyer nga Prokuroria e Përgjithshme në lidhje me denoncimet e bëra në adresë të prokurorit Osmani. Duke iu referuar përgjigjes, rezultonte se për asnjë nga tri denoncimet e bëra gjatë procesit në Apel, nuk provohej me prova.

Sipas relacionit, në këto denoncime pretendohej se Osmani kishte udhëtuar jashtë vendit me një avokat dhe pas kësaj ishin pushuar hetimet për klientin e këtij avokati. Nga sistemi TIMS, ky fakt nuk rezultonte i vërtetë. Më tej, denoncimi i dytë pretendonte se prokurori kishte përdorur makinën e një zyrtari të administratës, ndaj të cilit kishte pasur hetim për një çështje dhe në denoncimin e tretë pretendohej se prokurori kishte firmosur shpalljen e moskompetencës së Prokurorisë së Krimeve të Rënda në çështjen me të pandehur Suel Çelën dhe të tjerë.

Prokuror për këtë dosje nuk rezulton të ketë qenë Osmani, por B.D.. Në fund, prokurori dhe njëherësh anëtari i KLP-së i konsideroi denoncimet si shpifje dhe kërkoi nga Kolegji një analizë financiare të pasurisë, kërkesë e bërë edhe nga Komisioneri dhe që u pranua nga KPA.

Për pasurinë, KP pretendoi gjatë seancës se subjekti nuk mbulon me burime të ligjshme këstet e paguara për shlyerjen e apartamentit deri në mars të vitit 2009 në vlerën – 1.041.085 lekë.

Ai shtoi se edhe në prezumim të shpjegimeve mbi pagesën e këstit të apartamentit në fund të dhjetorit të vitit 2009, sërish rezulton se nuk mbulohen me burime të ligjshme pagesat e apartamentit dhe kursimet e krijuara deri në fund të vitit 2009, për një diferencë negative prej – 890,349 lekësh. Sipas komisionerit, prokurori nuk mbulon me të ardhura të ligjshme shpenzimet dhe kursimet për vitin 2011, në shumën 1,044,035 lekë dhe për vitin 2013 në shumën 1,145,915 lekë


TË NGJASHME