HomeLajmi i Fundit

Vettingu/ Ish-kreu i Krimeve të Rënda, shpjegim për 4 dosje

 Ish-kreu i Krimeve të Rënda, Besim Hajdaramataj, u përball në dukje pa probleme me procesin e vetingut, megjithatë, dha shpjegime në lidhje me disa dosje.

Besim-Hajdarmataj-768x550

Hetimi për prokurorin ishte kryer për të tri komponentët: pasurinë, aftësitë profesionale dhe pastërtinë e figurës. Duke iu referuar relacionit të Komisionit, Hajdarmataj rezulton se nuk ka prona të paluajtshme dhe pasuria e tij përbëhej nga disa depozita bankare.

KPK-ja tha se nga hetimi për të gjitha pasuritë dhe dhuratat e deklaruara, nuk janë konstatuar problematika dhe se analiza financiare e kryer, ka dalë pozitive. Edhe në kriterin e pastërtisë së figurës, DSIK kishte dorëzuar një raport me konstatimin se Hajdaramataj nuk kishte kontakte me persona të krimit të organizuar dhe se ishte i përshtatshëm për vazhdimin e detyrës.

“DSIK ka dorëzuar një raport me konstatimin se prokurori është i përshtatshëm për vazhdimin e detyrës”, tha relatorja. Sa i takon aftësive profesionale, Prokuroria e Përgjithshme kishte dorëzuar një raport pozitiv për prokurorin, i cili shpesh është konsideruar si i dosjeve të bujshme.

PASURIA

Përpos vlerësimit të ILDKPKI-së, për deklarimet e prokurorit Hajdarmartaj, KPK-ja tha se kishte kryer një tjetër hetim për pasuritë: depozitë bankare në shumën 5 milionë lekë, si dhe depozitë tjetër 1 milion lekë me burim krijimi paga nga 1997 deri në 2016. “Nga hetimi, rezulton se deklarimi përputhet me të dhënat e bankave dhe dokumentacionin”, tha relatorja. Edhe për kursimet e deklaruara, rezulton se subjekti ka pasur mundësi krijimi, shtoi më tej ajo.

Nga Komisioni është hetuar edhe për dhuratat nga vëllai, në vlerën 6 mijë euro dhe 4 mijë paund. “KPK kërkoi dokumentacion për të justifikuar burimin e krijimit për këto dhurata. Subjekti ka dorëzuar dokumentacion për punën e vëllait në Angli. Nga këto dokumentacione, rezulton se prokurori ka vërtetuar ligjshmërinë e këtyre të ardhurave”, tha relatorja, Suela Zhegu. Kjo e fundit bëri të ditur se, edhe nga analiza financiare, prokurori rezulton me bilanc pozitiv.

hajdarmataj

PROFESIONALIZMI

Relatorja Suela Zhegu tha se sa i takon aftësive profesionale, nga raporti i Prokurorisë së Përgjithshme, rezulton se Hajdarmataj ka aftësi në hetimin, menaxhimin e dosjeve dhe interpretimin e ligjit. “Është vlerësuar shumë mirë nga Prokuroria e Përgjithshme”, shtoi relatorja.

DENONCIMET

Nga relacioni mësohet se për ish-kreun e Krimeve të Rënda ka pasur 11 denoncime, 3 prej të cilave janë bërë online. Ndërkohë, janë 3 denoncime anonime, për të cilat KPK-ja, pas mbylljes së hetimit, e ka rihapur atë duke kryer hetime të mëtejshme. Në këto denoncime, pretendohej se Hajdarmataj ka pasur kontakte me një person i cili është pjesë e një grupi kriminal dhe një tjetër person që konsiderohet si shume i rrezikshëm dhe i lidhur me persona të inkriminuar.

Sipas njërit prej denoncimeve, prokurori kishte hyrje-dalje në pikat kufitare dhe kishte përdorur makinën e një prej këtyre personave, madje e ka parkuar në oborrin e Prokurorisë. Një tjetër denoncim, ishte edhe hetimi i nisur për Hajdarmatajn për “Shpërdorim detyre” për dosjen “Babale”.

Por nga hetimi i kryer, këto denoncime kanë rezultuar jo të vërteta, edhe personat e konsideruar si persona të rrezikshëm, ka rezultuar se nuk kanë qenë të proceduar dhe dënuar ndonjëherë. Komisioni ka hetuar gjithashtu për 4 dosje të vëna në dukje fillimisht nga denoncimet dhe më pas nga hetimet. KPK e kishte ngarkuar me barrën e provës prokurorin, duke i kërkuar shpjegime për veprimet dhe mosveprimet për këto dosje penale.

Nga drejtues i Krimeve të Rënda, te përplasja me Arta Markun

Prokurori Besim Hajdarmataj deri në maj të 2018-ës ishte në krye të Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Ndërsa me ardhjen e Arta Markut si Prokurore e Përgjithshme, Hajdarmataj u largua nga posti i drejtuesit të Krimeve të Rënda, ndryshim i argumentuar asokohe me qëllim për rezultate më të shpjeta për disa dosje.

Pas largimi nga drejtimi i kësaj prokurorie, në shtator 2018, Marku e komandoi në Prokurorinë e Pogradecit. Komandim i konsideruar si i paligjshëm me vendim të Gjykatës Administrative dhe më pas të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, ndaj Hajdarmataj u rikthye sërish si prokuror i Krimeve të Rënda./PANORAMA