HomePolitikë

Vettingu pezullohet deri në shtator


Vendim mban numrin 29 por ai nuk është bërë publik dhe ka patur vetëm një qarkullim të brendshëm. Komisioni i Pavarur i Kualifikimeve ka vendosur të mos hapë asnjë dosje të re për rivlerësim në muajt maj, korrik dhe shtator të këtij viti.

KPK-ja e argumenton këtë vendim se ngarkesa e madhe aktuale, procedurat e përshpejtuara për krijimin e SPAK dhe Gjykatës Kushtetuese e bëjnë të pamundur shqyrtimin e dosjeve të reja.

Sipas vendimit, zhvillimi i procedurave të rivlerësimit dhe kryerja e hetimit administrativ të thelluar kërkon më shumë kohë për tu realizuar në mënyre efiçente. Shpërndarja e çështjeve të tjera, ndërkohë që po shqyrtohen 187, do të sillte një ngarkesë aq të madhe sa do të rrezikonte cilësinë e procesit.

Vendimi nuk arsyeton se përse pezullimi i procesit të rivlerësimit bëhet vetëm për muajt Maj, Korrik dhe Shtator 2019. Procesi i vettingut ka krijuar vakanca dhe kjo kohë mund të përdoret për ti dhënë kohë zëvendësimit të disa gjyqtarëve, si përshembull në Gjykatën e Lartë ku aktualisht janë rreth 23 mijë dosje ende të paprekura.

Ky vendim, vetëm sa e komplikon më shumë situatën kaotike të shkaktuar në sistemin e drejtësisë dhe një zvarritje me 3 muaj do të ketë pasoja në mbarëvajtjen e procesit të vettingut.

Megjithatë KPK ende nuk ka dhënë një shpjegim se përse një vendim kaq i rëndësishëm ka qenë subjekt thjeshtë për qarkullim të brendshëm.


TË NGJASHME