HomeLajmi i Fundit

Vidhnin eskavatorë dhe i përdornin në Shqipëri, shkatërrohet grupi kriminal në Itali

Karabinierët e Compagnia di Fiorenzuola, kanë arritur që të godasin një grup kriminal, i cili merrej me vjedhjen e eskavatorëve dhe më pas i dërgonin në Shqipëri, ku përdoreshin për të ndërtuar rrugë, apo godina të ndryshme.

Rasi është denoncuar pranë organeve të rendit në shtetin fqinj nga një qytetar, ndërsa hetimet kanë zbuluar edhe grupimin kriminal që merrej me këtë veprimtari të jashtëligjshme. Hetimi filloi në korrik 2018 përfundoi pas gjashtë muajve hetime, shkruajnë mediat italiane.

Plot 9 persona janë nën akuzë nga prokuroria, nga të cilët, 5 janë lënë në burg dhe 2 janë vendosur nën masën arrest shtëpie. Nga hetimet e kryera deri tani një shqiptar 47-vjeç ishte kryetari dhe organizator i grupit kriminal.

Krimet e hetuara nga organi i akuzës janë vjedhja, pastrimi i parave dhe marrja e mallrave të vjedhura. Gjashtë vjedhje janë konstatuar në vendet e ndërtimit në Italinë Veriore (Dalmine, Ridiamo, Tortona, tre në Fontevivo). Vlera e automjeteve të vjedhura ishte rreth një milionë e gjysmë euro.