HomeLajme

Violinistja Abigeila Voshtina sjell koncertin e ‘braktisur’ të Mozart-it

“Il mondo della Luna” titullohet koncerti që u zhvillua mbrëmjen e djeshme në sallën e “ar- Turbinës”, pjesë e festivalit “Fabrika e peizazheve muzikore”, nën interpretimin e orkestrës “Gjenerata e re”, nën drejtimin e dirigjentit Giovanni Pompeo, me soliste violinisten Abigeila Voshtina.

Në kuadër të Muajit të Muzikës, Voshtina sjell një program të veçantë, me pjesë nga kompozitori Henry Purcell dhe Wolfgang Amadeus Mozart. I pari ka shkruar 100 vjet përpara Mozart, por do të kishte për mësues një italian, ndërsa Mozart do të kryente tri udhëtime të suksesshme në Itali.

PROGRAMI

“Muzika italiane jo vetëm ka ndikuar në mbarë muzikën botërore, por ka udhëhequr disa nga emrat më të mëdhenj të saj, një kompozitor interesant është Henry Purcell, muzika e të cilit ngeli në hije deri në shek. XX, për t’u rizbuluar sërish. Opera e tij “Didone e Enea”, mbahet si kryevepra e epokës së cilës ai i përket. Ka shkruar kolona zanore për veprat e Shekspirit, ka krijuar vepra për familjen mbretërore, himne etj.. Një prej të cilave u përdor nga Stanley Kubrick për kolonën zanore të filmit “Portokalli mekanik”. Nga ky kompozitor është përzgjedhur Uvertura Abdelazar, që, sipas violinistes, ishte kompozimi i parë mbi një ide “Hakmarrja e Mur”, e kompozuar në vitin 1676. Për të kaluar te gjeniu Wofgang Amadeus Mozart, me simfoninë 29 në la maxhor K 201, shkruar në vitin 1774. Sipas Voshtinës, e veçanta është shkëputja nga shkolla e Bach, duke sjellë një strukturë të re në 4 kohë muzikale.

“Influenca vjen nga 2 motive, udhëtimet në Itali, ku korri sukses me operën ‘Lucio Silla’ dhe njohja me Haydn”, thotë ajo. Për instrumentistët, që zakonisht përzgjedhin vepra të mëdha, virtuoze, do të dukej e çuditshme zgjedhja e saj: Koncerti Nr. 1 për violinë, në si bemol maxhor K 207, shkruar në prill 1775. “Koncerti Nr.1 mund të them që është i ‘braktisur’, pasi mendoj se nuk është kuptuar nga violinistët. Përgjithësisht, instrumentistët nuk e zgjedhin, pasi u duket si ‘e thjeshtë’, por nuk ka muzikë të ‘thjeshtë’. Kam luajtur edhe koncerte të tjera për violinë të Mozart dhe mund të them që edhe koncerti Nr.1, ka të njëjtën ngarkesë si të tjerat, madje koha e dytë është një arie e qëndisur, ku për sensibilitetin që demonstron dhe dialogun, mund të krahasohet me arien nga opera ‘Re pastre’, ‘L’amero sarò costante’, ndërsa koha e tretë është një Rondó tipike me ritmet dhe stilin e Haydn-it”, thotë Voshtina.

ORKESTRA

Po aq e çuditshme do të dukej edhe përzgjedhja e orkestrës, që e shoqëron në këtë koncert. “Orkestra ‘Gjenerata e re’ është një formacion i përbërë me instrumentistë të rinj shumë të talentuar. Unë kam qenë gjithnjë e mendimit se të rinjtë duhen afruar, sepse në të kundërt, ata nuk do të mund të bëjnë dot kurrë eksperiencat e tyre. Mundësitë në Shqipëri janë të pakta për artistët e rinj, ndaj dhe duhet që t’i hedhim sytë drejt tyre, për të mos i lënë në zymtësinë e pamundësive. Ka shumë të rinj të talentuar, që i bëjnë nder skenës.

Nuk ka nevojë të jesh me flokë të bardha për të qenë i zoti”, thotë Voshtina. Për të drejtuar orkestrën është ftuar dirigjenti italian, Giovanni Pompeo. “Duke qenë se motivi i këtij koncerti ishte ndikimi i muzikës italiane te kompozitorët e tjerë, ftuam pikërisht një dirigjent italian. Jo se dikush tjetër nuk do të ishte i zoti, por për të qenë më shumë në ‘shtëpi’, dhe në frymën e muzikës që do të luhet”, thotë violinistja, me që ky bashkëpunim i parë me dirigjentin jo vetëm të dalë me sukses, por të vijojë edhe me të tjera aktivitete.


TË NGJASHME