HomePolitikë

Visho Ajazi rrëfen marrëdhëniet me drejtuesit politikë në vend

Për herë të parë, në një rrëfim në mediat, në radion belge “Jehona e Shqipes”, Ambasadori i Shqipërisë në NATO dhe ish-kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror, Visho Ajazi Lika, ka rrëfyer karrierën e tij dhe marrëdhëniet me drejtuesit politikë në Shqipëri.

Ish-kreu i SHISH tregon sesi vendosi të braktiste jetesën në Kanada dhe të bashkohej me qeverinë Berisha në detyrën e zv.ministrit.

Visho Ajazi Lika rrëfen edhe mbi propozimin që Berisha i bëri për drejtimin e Shërbimit Informativ Shtetëror dhe bashkëpunimin që ka pasur me Kryeministrin Edi Rama gjatë mandatit të tij të parë.

Ish-kreu i SHISH kujton se Edi Ramës ia ka bërë të qartë se do të bëjë detyrën e tij dhe do të respektojë ligjin, ndërkohë që thekson se Presidenti Meta i ka kërkuar që të qëndrojë në krye të shërbimit.

Si ka qenë shpresa dhe vizioni juaj për Shqipërinë në kohën kur keni qenë student?

Flasim për mesin e viteve ’70, kur unë nisa studimet universitare. Unë kam mbaruar për Matematikë dhe kam studiuar për 5 vite. Kjo do të thotë me modesti që nuk kam qenë student i keq. Në ato kohë nuk kishte shumë zgjedhje. Unë nuk kam dashur Matematikë, por ajo degë u la dhe nuk kisha zgjidhje tjetër?

Çfarë keni dashur?

Unë do kisha dashur biologji ose kimi. Për fat të keq nuk kam pasur damar për doktor. Kështu që në vitin 1974 kam filluar Shkollën e Aviacionit për pilot ushtarak. Për disa arsye, m’u desh ta lija atë shkollë, 6 muaj pasi fillova trajnimet. Në atë kohë u vendosa përballë një zgjedhjeje: të shkoja ushtar apo të bëhesha oficer dhe vendimi im ishte të bëja ushtrinë dhe më pas të lirohesha. Ushtrinë e kam bërë në Vlorë, atje ka qenë edhe Shkolla e Aviacionit. Unë e konsideroj veten me fat që mora të drejtë studimi për matematikë. Sepse isha fëmija i tretë në familje, ku dy fëmijët e mëparshëm kishin ndjekur studimet e larta. Nga ‘76- ‘81 kam qenë në Fakultetin e Shkencave. Besoj është privilegj të ishe student dhe më pas pedagog në fakultetin më të mirë që ka pasur Universiteti i Tiranës. Kam filluar në ‘84 si pedagog në Fakultetin e Shkencave në degën e sapohapur të Informatikës. Sigurisht, ka qenë një periudhë sa e vështirë, aq edhe e bukur, sepse ditën jepja mësim, ndërkohë që në darkë vetëm studioja. Paralelisht kam mbaruar edhe lëndën e Informatikës. Kam qëndruar aty deri në 1991 kur kam mbrojtur doktoraturën për Informatikë. Për dy vite kam qenë shef i Katedrës së Informatikës. Në ’93 kam qenë për një specializim në Barcelonë. Atje m’u kërkua që të qëndroj pedagog, por jeta ma ndryshoi drejtimin. Unë u ktheva në Shqipëri dhe për arsye se në atë kohë kishte shumë nevojë për pedagogë dhe intelektualë të rinj që dinin edhe gjuhë të huaja, unë u afrova dhe fillova punë në Ministrinë e Jashtme. E bëra realisht si një kontribut për vendin tim.

visho-ajazi-lika

U zhgënjyet që u kthyet?

Jo, nuk u zhgënjeva. Kam qëndruar në Ministrinë e Jashtme deri në mesin e vitit 1997. Në këtë vit vendosa të largohem nga Ministria e Jashtme, nuk më larguan. Ika për të filluar punë në profesionin tim në lidhje me teknologjinë. Për rreth një vit, kam punuar privatisht në një kompani suedeze. Në atë kohë mua më dolën letrat për të shkuar në Kanada bashkë me familjen time, gjë që e bëra. Në mesin e vitit 1998, ne kemi udhëtuar në Kanada ku unë kam qëndruar deri në fund të vitit 2009. Ndërkohë që aktualisht fëmijët e mi vazhdojnë të jenë atje, janë të rritur dhe janë profesionistë. Ata vijnë në Shqipëri sa herë që kanë mundësi.

Si erdhi rikthimi në Shqipëri?

Në mesin e vitit 2009 m’u propozua nga qeveria “Berisha” të vija dhe të bëhesha pjesë e qeverisë për çështjet e teknologjisë. Dhe unë erdha me një program që stimulonte profesionistët shqiptarë nga vendet e tjera të ktheheshin në Shqipëri dhe të kontribuonin. Pas një hezitimi 6-mujor, pasi e mora këtë propozim kur isha në Kanada, pasi unë kisha ndërtuar jetën time atje, më pas vendosa të rikthehem në Shqipëri. Dhe unë kam filluar në dhjetor të 2009 si zv.ministër i Teknologjisë dhe Inovacionit në qeverinë Berisha. Ka qenë një punë shumë interesante. Në atë kohë vija shumë shpesh në Bruksel, pasi isha edhe pika e kontaktit e qeverisë për teknologjinë dhe informacionin në BE dhe për kibernetikën në NATO.

Si erdhi propozimi për detyrën e re?

Në gusht të vitit 2012 më është propozuar nga ishKryeministri i asaj kohe drejtimi i Shërbimit Informativ Kombëtar Shtetëror. Ishte një surprizë për mua sepse nuk isha përgatitur për atë punë, sepse teknologjia sot është shumë e lidhur me inteligjencën. Pas një hezitimi të shkurtër, unë mora vendim duke thënë se për aq kohë sa isha rikthyer për t’i shërbyer vendit tim, pse të mos e pranoja atë detyrë. Ka qenë një vendim i vështirë. Ka qenë një vendim, i cili më ka kushtuar personalisht, por besoj se e kam arritur vetveten në atë detyrë që kam mbajtur. Ajo detyrë nuk është politike, por është shumë e kontestuar nga politika. Ajo është një detyrë kombëtare, që ka të bëjë drejtpërdrejt me sigurinë kombëtare. Është një detyrë që duhet të bashkëpunosh me të gjitha forcat politike të vendit.

Pavarësisht kësaj, ju u propozuat nga një parti politike?

Shërbimi Informativ sot ka një ligj shumë të mirë. Është një ligj që e mban shërbimin vërtet jashtë ndikimeve politike, kuptohet që kjo varet shumë edhe nga drejtuesi i tij. Për t’ju përgjigjur pyetjes, dua të kujtoj se shefi i shërbimit propozohet nga Kryeministri dhe dekretohet nga Presidenti. Pra, ka një varësi të dyfishtë sa i takon emërimit dhe shkarkimit. U propozova nga Sali Berisha dhe u dekretova nga Bujar Nishani. Presidenti i Republikës është kryetari i Sigurisë Kombëtare dhe gjithashtu Komandat i Përgjithshëm i FA-së. Pra, detyrimisht drejtori i shërbimit raporton te Presidenti. Sidoqoftë, Kryeministri është drejtuesi i ekzekutivit, pra, ke punë më shumë me të. Përgjegjësia ishte e dyfishtë, në kuptimin e raportimit, por në nivelin teknik, sigurisht që raportohej më shumë te Kryeministri. Periudha kur unë kam qenë në krye të Shërbimit ka qenë shumë interesante, për të mos thënë e vështirë. Besoj kam marrë një institucion shumë profesional dhe besoj se e kam lënë pak më mirë profesionalisht.

Ju keni qenë shumë i zëshëm, apo emri juaj është përmendur shumë herë në media gjatë kohës që keni mbajtur detyrën e kreut të SHISH?

Unë nuk kam qenë aspak i zëshëm në media. Nuk kam asnjë afeksion të veçantë për këtë punë, por kam qenë shumë i kujdesshëm që të jem larg medias pasi puna e drejtorit të shërbimit është e tillë. Por, për fat të keq, jam cituar shumë në media, megjithatë kjo ka qenë diçka që nuk më ka shqetësuar.

Ju jeni propozuar nga ish-Kryeministri Berisha. E keni pasur të vështirë të punoni me Kryeministrin Rama pas vitit 2013? A ju ka kërkuar ai të jepni dorëheqjen dhe të largoheni?

Unë kam punuar 4 vite me qeverinë socialiste të z.Rama dhe rreth 1 vit e gjysmë me Partinë Demokratike, paraardhëse të saj. Marrëdhëniet me z.Rama kanë qenë mjaft korrekte. Unë ia kisha bërë shumë të qartë qeverisë së z.Rama se unë jam aty për të zbatuar ligjin dhe unë ligjin e kam zbatuar. Pjesa tjetër, sigurisht unë jam në funksion të sigurisë kombëtare. Që nga dita që unë kam takuar për herë të parë z.Rama dhe deri ditën që unë kam ikur, asnjë herë të vetme, për asnjë arsye, nuk është thënë nga qeveria, se mediat e kanë thënë vazhdimisht, largimin tim. Unë i kam thënë z.Rama që unë jam këtu për të bërë detyrën time, ju shikoni punën tuaj. Ju jeni ata që vendosni, por unë nuk iki. Unë nuk jap dorëheqjen. Unë nuk kam ardhur për të dhënë dorëheqjen dhe do ta mbaroj misionin tim. Dhe unë kam punuar për 4 vite me qeverinë e parë të Ramës, pas zgjedhjeve të vitit 2017, sepse unë kam qëndruar për mbi 5 vite në krye të SHISH. Askund nuk është e shkruar sa është mandati i kreut të këtij institucioni. Edhe Presidenti Meta më ka kërkuar që të rrij me të në detyrë derisa të mbaroj mandatin. Por unë nuk isha i gatshëm të qëndroja më shumë pasi ka qenë një punë mjaft stresuese, me një intensitet shumë të lartë dhe me kosto njerëzore jo të vogël. Mos harroni që unë nuk kam qenë për familjen time për 5 vjet. Kështu që, natyrshëm, nuk e kisha të qartë se ku do të shkoja, por siç ju thashë jam akademik në jetën time. Po ashtu, edhe në sektorin privat kisha shumë eksperiencë, pasi kam punuar në SHBA dhe para se të largohem kam qenë zv/president i asaj kompanie. Pra, nuk kam pasur asnjë sfidë sa i takon të mbijetuarit jashtë sistemit.

Ishte një vendim për të mbyllur karrierën kjo e pranimit të përfaqësimit të Shqipërisë si ambasador i saj në NATO?

Sigurisht, në moshën time është normale të mendohet edhe kështu dhe unë kështu kam menduar në fakt. Por, çdokush duhet të kontribuojë për vendin e vet. Vendi nuk bëhet vetëm duke u ankuar, por vetëm duke punuar. Unë nuk e kam shitur shpirtin. Mund t’ju them që kam lënë një rrogë 5 herë më të madhe se rroga që kam pasur në Shqipëri. Megjithatë, mendoj se jam shpërblyer për punën që kam bërë dhe gëzoj respekt të veçantë për këdo që kam bashkëpunuar.

Duke iu referuar aktualitetit që ka tani në Shqipëri, çfarë e mban peng sipas jush këtë vend?

Kam dëshirë të them së pari se nuk jam politikan dhe si i tillë mos prisni që të jap zgjidhje. Por, si qytetar i Shqipërisë, është që ne duhet të punojmë shumë. Unë kam qenë emigrant dhe në çdo vend, pavarësisht nivelit që ata kanë, vijojnë të punojnë shumë. Gjëja e parë që duhet të bëjnë është që gjithsecili t’i rikthehet vetvetes. Të bëjë gjithsecili detyrën e tij. Së pari dhe mbi të gjitha të dojë familjen fort. Ky është mesazhi kryesor.

Ndalemi pak te Kanadaja dhe te familja juaj? Ndikoni ju te fëmijët tuaj dhe u sugjeroni atyre të shkojnë dhe të kontribuojnë në Shqipëri?

Pyetje shumë interesante. Djali im i madh ka mbaruar për Inxhinieri Elektrike, por ka vazhduar edhe një shkollë tjetër dhe aktualisht është bankier. Ndërkohë, vajza është juriste. Edhe për të unë jam vërtet krenarë. Në kohën kur unë u ktheva në Shqipëri, djali më kërkoi që të vinte me mua. Por nuk e kam lejuar unë. I kam thënë se nuk do të vish në Shqipëri pa punuar të paktën 5 vite në SHBA. Shikoni, Amerika e Veriut është një vend që të mëson sesi punohet. Sepse djali do të vinte me një shkollë shumë të mirë në Shqipëri, por pa eksperiencë. Sepse në Shqipëri mund të merrte një pozicion që mund të ndikohej indirekt edhe nga unë dhe këtë gjë nuk e doja.

Djali vazhdoi çfarë dëshironte apo çfarë i imponuat ju?

Kam një histori interesante. Djali ka qenë shumë i mirë në shkencat ekzakte. Prirje që e kishte marrë prej meje dhe nënës së tij. Kur ai mbaroi shkollën e mesme, e ëma donte që ai të bëhej doktor. Ndërsa unë isha pak më ndryshe dhe e pyeta: E ke apo jo dëshirë? Ai më tha që s’e kam me dëshirë, por më vjen keq t’ia kthej nënës. I kam thënë që të vendosë atë që donte. Ai aplikoi dhe të nesërmen shkoi në shollë. Mësuesja e tij e fizikës i tha: Unë e di që nuk më lejohet të të pyes se çfarë ke zgjedhur, por unë të kam shumë përzemër. Djali i tha që kishte vendosur për mjekësi dhe ajo i tha që ishte gabim. Kështu që djali u kthye në shtëpi dhe ndërroi aplikimin dhe më njoftoi për këtë gjë. I thashë se mua më vinte shumë mirë, por fol edhe me nënën tënde se s’duam probleme (qesh).

Brenda misionit të Shqipërisë në NATO, misioni juaj personal cili është?

Të përfaqësoj Shqipërinë sa më mirë. Dhe të menaxhoj në mënyrën e duhur stafin.

Si do të jetë karriera juaj? E mendoni fundin? Çfarë do të bëni në fund të misionit tuaj?

Së pari, unë nuk e mendoj fort fundin e karrierës sepse nuk kam ndërmend ta mbaroj. Se si do të jetë karriera, këtë nuk e di. Tani jam shumë i fokusuar në këtë element të ri. Mos harroni, në NATO janë ambasadorët më të mirë të vendeve përkatëse. Kam me të vërtetë kolegë, nga të cilët mëson gjithmonë. Sa i përket asaj që do të vazhdoj, besoj se mund t’i kthehem jetës akademike. Ndoshta ju nuk e dini, por edhe kur kam qenë kryetar i SHISH për 5 vjet rresht, por edhe kur kam qenë zv/ministër, unë kam dhënë mësim. Profesionin tim unë e kam dashuruar gjithmonë. Së dyti, mos harroni që krahas akademisë, unë kam një profesion tjetër, duke qenë drejtues i kompanive teknologjike. Pra, mund ta shoh edhe në këtë fushë.


TË NGJASHME