HomeRajon

Vjen reagimi serb pas ndalimit të zyrtarëve në Kosovë

Pas vendimit të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës, për t’ia ndaluar hyrjen në Kosovë zyrtarëve serbë për shkak të kërcënimeve, inskenimeve në veri e çështjeve të tjera, ka reaguar kreu i diplomacisë serbe, Ivica Daçiç.

Ai në një prononcim për “Novosti.rs”, ka thënë se ky vendim është një shuplakë për Bashkimin Evropian.

Sipas tij, ky vendim i autoriteteve kosovare është i pashembullt dhe një goditje tjetër ndaj Bashkimit Evropian e bashkësisë ndërkombëtare e jo ndaj Serbisë.

“Ky vendim i autoriteteve të Prishtinës është një veprim i paparë dhe një shuplakë tjetër, jo për Beogradin, por mbi të gjitha për BE-në dhe bashkësinë ndërkombëtare që pa dyshim janë duke heshtur ndaj shkeljeve të të gjitha normave të qytetërimit që Ramush Haradinaj e Hashim Thaçi po e bëjnë me vite të tërë”, ka deklaruar Daçiç.

Sipas tij, vendimi i MPJ-së, që ndalon hyrjen e zyrtarëve serbë në Kosovë, kërkon të izolojë popullin serb nga çdo ndikim i Beogradit, transmeton më tutje lajmi.net.

Daçiq po ashtu deklaroi se Kosova e bëri këtë vetëm dy ditë pas nënshkrimit të një marrëveshjeje midis Kosovës dhe Shqipërisë, me të cilën të dy palët “janë praktikisht të detyruara të kryejnë një politikë të përbashkët të jashtme”.

“Ky traktat është një përforcim në themelet e “Shqipërisë së Madhe”, që integrohet pa probleme në zemër të Evropës, ndërsa në të njëjtën kohë zyrtarët serbë janë të ndaluar të lëvizin përreth territorit të shtetit të tyre”, u shpreh Daçiç.


TË NGJASHME