Aktualitet Lajme Politikë

VOA/ “Drejtimi i Bashkisë së Shkodrës nga Voltana Ademi në pikëpyetje”

Situata e paqartë e ditëve të fundit në drejtimin e Bashkisë së Shkodrës po shoqërohet nga dorëheqjet e zyrtarëve të kësaj bashkie.

9A5B04A5-7650-445D-B332-163D8313F78D_w1023_r1_s

I pari që dha dorëheqjen është Sekretari i Këshillit të Bashkisë, Suel Hadri. Në njoftimin e dorëheqjes ai bën të ditur se e bën këtë “për arsye personale”.

Por besohet se dorëheqja e tij lidhet me konstituimin e Këshillit të ri Bashkiak, i cili zhvilloi mbledhjen e tij të parë ditën e hënë, me datë 19 gusht, në një situatë të tensionuar kur, para mjediseve ku po zhvillohej takimi, mbështetës të Partisë Demokratike protestuan duke tentuar disa herë të çajnë kordonin e policisë për t’u futur brenda në sallë.

Dorëheqja e zotit Hadri pritet të shoqërohet edhe nga të tjera dorëheqje të zyrtarëve të tjerë, gjë që lidhet me situatën e ditëve të fundit në këtë bashki.

Pas kostituimit të Këshillit Bashkiak, Prefekti i Qarkut te Shkodrës Çesk Millja i ka dërguar Presidentit të Republikës, zotit Ilir Meta, një shkresë zyrtare përmes të cilës e informon mbi konstituimin e Këshillit të ri të Bashkisë Shkodër. Gjithashtu, Prefekti Millja njofton Presidentin për vakancën e krijuar në Bashkinë Shkodër pas dorëheqjes së kryetarit të zgjedhur të bashkisë.

Presidenti Meta e ka bërë të qartë se nuk do të dekretoje zgjedhje të pjesshme dhe se kryetarja e Bashkisë Shkodër, Voltana Ademi, do të ushtrojë detyrën e saj deri në zgjedhjet vendore të 13 tetorit, datë për të cilën nuk janë dakortësuar forcat kryesore politikë në vend.

Në këto kushte, vetë Voltana Ademi është shprehur se do të qëndrojë në detyrën e kryetares së Bashkisë Shkodër “për një periudhë tranzitore”, deri në zgjedhjet e reja vendore, të cilat ajo shpreson të zhvillohen bashkë me zgjedhjet parlamentare dhe se nuk i njeh zgjedhjet e 30 qershorit, të zhvilluara pa opozitën.

Ushtrimi i kësaj detyre në ditët e ardhshme pritet të jetë mjaft i vështirë dhe me pikëpyetje. Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Dega e Thesarit, ja kanë hequr zonjës Ademi të drejtën e firmës, duke njoftuar përfundimin e mandatit të saj me datën 20 gusht. Tashmë, faturat e Bashkisë së Shkodrës firmosen nga njëri prej nënkryetarëve të bashkisë.

Ndërkohë, është paralajmëruar për javën e ardhshme mbledhja e Këshillit Bashkiak, e cila ka gjasa të autorizojë një prej nënkryetarëve të kësaj bashkie të kryej funksionin e titullarit deri në zgjedhjen e kryebashkiakut të ri.

Situata në Bashkinë e Shkodrës mori një zhvillim të papritur më 13 gusht, kur Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazmend Bardhi, paraqiti para mediave disa dokumente të ardhura nga Italia, që dëshmonin se kryebashkiaku i sapo zgjedhur i Shkodrës, Valdrin Pjetri, ishte dënuar në vitin 2003 nga gjykata italiane për trafik të lëndëve narkotike dhe se ishte dëbuar nga Italia për një periudhë 10 vjeçare. Zoti Pjetri, i cili fillimisht i mohoi akuzat, me 15 gusht dha dorëheqjen nga marrja e mandatit të kryetarit të Bashkisë Shkodër, duke ia paraqitur dorëheqjen Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe Këshillit të ri Bashkiak të Shkodrës.

Bashkia e Shkodrës është një nga bastionet e Partisë Demokratike. Ajo është drejtuar nga demokratët që nga viti 1992, me përjashtim të vitit 1996 kur drejtimin e kësaj bashkie e fitoi një formacion i ri politik, me shtrirje lokale, “E Djathta e Bashkuar Shkodrane”.

/VOA/

Related posts

“British Airways” përballet me gjobë rekorde pasi…

Klaudia gotanews

VIP-at e huaj sjellin trendin e ri të thonjve

Anxhela news

Miley ndahet nga Liam për një femër

Gri
Na Kontaktoni!