HomePolitikë

VOA: Thellohen paqartësitë rreth formimit të qeverisë së re të Kosovës

Mbledhja e parlamentit të Kosovës që u mbajt të enjten më shumë thelloi sesa qartësoi rrugën e ngritjes së institucioneve të reja.

Sipas Kushtetutës, presidenti i Kosovës, i propozon parlamentit kandidatin për kryeministër, në këshillim me partinë politike ose koalicionin që ka fituar shumicën e nevojshme.

Të premten, presidenti Hashim Thaçi, ftoi kryetarin e lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti, për një takim pasmesditës për caktimin e mandatit për formimin e qeverisë.

Por në lëvizjen Vetëvendosje thanë se “zoti Kurti e ka të pamundur ta takoj sot presidentin, meqë ndodhet jashtë Prishtinës. Ai do ta njoftojë së shpejti presidentin për ditët e orët e mundshme të takimit”, thanë në këtë lëvizje.

Vendimi për mandatarin varet nga negociatat e partive fituese, vazhdimi i të cilave mbetet i paqartë, pas mbledhjes së një dite më parë të parlamentit i cili zgjodhi Glauk Konjufcën nga lëvizja Vetëvendosje në postin e kryetarit.

Që nga përfundimi i zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 6 tetorit kur kishin filluar edhe negociatat për bashkëqeverisje ndërmjet lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës që dolën të parat, është thënë se posti i kryetarit të parlamentit do t’i takojë Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Deri pak orë para mbledhjes të dyja partitë kishin shkëmbyer oferta dhe kundër oferta për themelimin e institucioneve ku “mollë sherri” ishte shfaqur posti i presidentit të cilin Lidhja Demokratike e Kosovës kërkon t’i takojë asaj në vitin 2021.

Të enjten Lidhja Demokratike tha se është e gatshme të votojë ngritjen e qeverisë nga lëvizja Vetëvendosje pa u bërë pjesë e saj dhe deputetët e kësaj partie votuan për kryetarin e parlamentit nga radhët e lëvizës Vetëvendosje. Për vëzhguesit kjo është një shenjë se Lidhja Demokratike pret ri negocim të plotë për ndarjen e pushtetit.

Kosova ka përvojë të proceseve të gjata të negocimit të koalicioneve qeverisëse. Pas zgjedhjeve të vitit 2014 ishin dashur gjashtë muaj për të gjetur një zgjidhje. Vëzhguesit ndërkaq thonë se vendi aktualisht ndodhet në një periudhë kur duhet përshpejtuar proceset për të shmangur zgjatjen e një boshllëku institucional, apo edhe për të shmangur mundësitë që vendi të shkojë në zgjedhje, në vend që të gjejë një zgjidhje.

Kosova mbajti zgjedhjet e katërta me radhë që nga shpallja e pavarësisë së saj në vitin 2008. Zgjedhjet pasuan dorëheqjen e kryeministrit Ramush Haradinaj, i cili u thirr në Hagë në muajin korrik, për t’u marrë në pyetje nga prokuroria e Posaçme që trajton pretendimet për krime lufte dhe të pasluftës në Kosovë


TË NGJASHME