HomePolitikë

Voltana dërgoi letër, kryebashkiakët demokratë takim me ambasadorin italian

Ambasadori italian Alberto Cutillo ka mbajtur një takim me kryebashkiakët e Shkodrës dhe Kamzës dhe të Mallakastrës Voltana Ademi, Xhelal Mziu dhe Agron Kapllanaj, të cilët janë shprehur se nuk do t’i lirojnë zyrat pavarësisht rezultatit të 30 qershorit.

Ky takim vjen vetëm dy ditë pasi kryebashkiakja Ademi iu drejtoi një letër gjithë ambasadorëve të huaj në Tiranë, duke iu kërkuar të ngrenë një komision ndërkombëtar që ajo të dorëzojë detyrën te pasardhësi socialist i zgjedhur nga 30 qershori.

“Falenderoj përzemërsisht Ambasadorin e Republikës së Italisë në vendin tone SHT Z. Alberto CUTILLO për përgjigjen ndaj letrës që unë, si kryetare e Bashkisë dhe qytetare e Shkodrës, i dërgova si përfaqësues i një vendi mik dhe me lidhje të ndërsjellta shekullore.

Në Ambasadën e Republikës së Italisë me Z. Ambasador, bashkë me kolegët z. Agron Kapllanaj kryetar i Bashkisë Mallakastër dhe z. Xhelal Mziu, kryetar i Bashkisë Kamëz, zhvilluam një bisedë tejet konstruktive, ku përcollëm të gjitha shqetësimet tona tashmë të njohura e publike.

Gjetëm vëmendjen e tij të plotë për çfarë diskutuam dhe çeshtjet e rëndësishme që ngritëm për funksionimin normal të sistemit demokratik në përgjithësi dhe të qeverisjes vendore në veçanti. #FaleminderitAmbasadorCutillo”, ka shkruar Ademi.


TË NGJASHME