HomePolitikë

Von der Leyen: Zbutja e tensioneve në interes të Iranit dhe Irakut

Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen tha sot se zbutja e tensioneve mes Teheranit dhe Uashingtoni, pas vrasjes së gjeneralit iranian Qassem Soleimani është në interes të Iranit dhe Irakut.

“Është në interes të Iranit  dhe veçanërisht të Irakut, që të zgjedhin rrugën e maturisë dhe jo të përshkallëzimit”, deklaroi von der Leyen në një takimi të konservatorëve bavarezë të CSU në Seeon.

Ajo konfirmoi, gjithashtu, edhe mbajtjen e një takimi të jashtëzakonshëm të ministrave të jashtëm europianë të premten, ndërkohë që BE kërkon të zbusë tensionet pas vdekjes së Qassem Soleimani-t, i vrarë gjatë një sulm amerikan në Bagdad. Edhe kreu i diplomacisë gjermane, Heiko Maas theksoi sot se kërcënimet e presidentit amerikan, Donald Trump për të sanksionuar Irakun nuk janë një ndihmë e madhe.

“Nuk mendoj se mund të bindet Iraku me kërcënime, por më shumë me argumente. Në Irak, ne jemi shumë të angazhuar, jo vetëm në aspektin ushtarak, por gjithashtu edhe në ndihmë për stabilizimin, në mënyrë që të rindërtojmë këtë vend, të krijojmë infrastruktura”, nënvizoi Maas për radion publike “Deutschlandfunk.

“E gjithë kjo rrezikon të jetë e humbur, nëse situata vazhdon të zhvillohet në këtë mënyrë”, theksoi Maas, i cili dëshiron të sigurohet që Iraku të mos bëhet skenë e një lufte mes vendeve të tjera, SHBA dhe Iran.

Trump kërcënoi Irakun për sanksione shumë të forta nëse trupat amerikane do të duhet të largohen nga vendi, pas votimit të Parlamentit irakian për të kërkuar dëbimin e tyre.//ATSH


TË NGJASHME