HomePolitikë

Vora dhe Kavaja drejt falimentit! Do merren në administrim nga qeveria

Bashkitë Vorë dhe Kavajë do të merren nën administrim nga pushteti qendror. Shkak është bërë situata e rëndë financiare. Sipas një raporti të siguruar nga Euronews Albania të punuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, dy bashkitë rrezikojnë të shpallin falimentin.

“Situata në Bashkinë e Kavajës dhe të Vorës është shumë serioze. Detyrimet e prapambetura shënojnë respektivisht 91.23% dhe 90.54% të shpenzimeve faktike në vitin 2021”, thonë nga ministria.

Me raportin e detyrimeve për fatura të papaguara mbi 90% të fondeve që kanë në dispozicion, këto dy bashki rrezikojnë edhe pagesën e pagave të punonjësve pasi shpenzimet e personalit zënë mbi 20% të buxhetit që kanë.

Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka shpallur thirrjen për të kontraktuar administrator të përkohshëm që të menaxhojë bashkitë në vështirësi të rëndë financiare.

Në total borxhi që kanë 61 njësitë vendore në Shqipëri është 55 milionë euro, ku vlerën më të madhe e ka Kavaja 7 milion euro, Tirana 5.4 milionë euro dhe Vora me 4.3 milionë euro.

Detyrimet e bashkisë Tiranë nuk vlerësohen problematike për qeverinë, pasi buxheti i saj është më i madh në raport me njësitë e vogla.

Në vështirësi financiare vlerësohen të jenë edhe bashkitë Roskovec, Poliçan, Cërrik, Malësi e Madhe, dhe Belsh. Nëse performanca e tyre do të vazhdojë të jetë e dobët, edhe për këto njësi do të kontraktohet administrator i përkohshëm.

Ndryshe nga tabloja e këtyre njësive vendore, Gjirokastra, Patosi, Këlcyra, Shkodra dhe Korça kanë vetëm 1% të shpenzimeve borxhe të papaguara.

Detyrimet e prapambetura dhe angazhimet financiare jashtë planit buxhetor të bashkive ka qenë një problem i vjetër për qeverinë e cila çdo vit kalon fonde të vetat për të ndihmuar pushtetin vendor.

Dy vjet më parë ishte ministrja e Financave Anila Denaj që u kushtëzoi transferimin e parave të buxhetit disa bashkive me vendosjen e disiplinës financiare, ndërsa thirrja e fundit iu bë disa javë më parë nga vetë kryeministri Edi Rama.
/ Burimi: EuroNews


TË NGJASHME