HomeLajmi i Fundit

Votimet e LSI-së/ Kryemadhi me maskë: Ma mblodhi partia, jo policia

Gjatë ditës së sotme u zhvilluan zgjedhjet e brendshme të LSI-së. Monika Kryemadhi votoi pranë njësisë nr.5, ku do të rikonfirmonte kryesimin e partisë sërish.

“Sot dhashë një votë si të gjithë anëtarët e tjerë. Shoh shumë gra në listë, kanë ardhur vajza në LSI e janë bërë nëna, shoh edhe shumë të rinj. Garoj për tu rikonfirmuar, por po pres me padurim zgjedhjen e ekipit drejtues që do dalë nga ky proces. Ekipi që do drejtojë LSI në misionin kombëtar për t’ju dhënë shqiptarëve punësim, arsim cilësor, ulje kosto jetese dhe cilësi. Fitorja e LSI do jetë e jashtëzakonshme, është fitorja e të rinjve dhe të rejave”,- tha ajo.

Gjatë prononcimit për mediat, ku ajo tha se kishte një pjesëmarrje masive të votuesve, bie në sy fakti që ajo po mbante maskë me logon e LSI. Ajo tha se nuk po ul hundën para policisë, por se ishte partia e saj e cila kishte ndikuar në bindjen e saj për të zbatuar masat antiCOVID-19.

“Me sa duket partia ma mbledh, jo njeri tjetër. Unë përsëri vazhdoj të mendoj që maska mbahet në ambiente të mbyllura, ta mbajnë se besojnë dhe jo se i kërcënojnë. Sot duhet t’i ofrojmë shqiptarëve forcë, optimizëm, ata nuk i mund korona, as varfëria. Ata brenda vetes kanë dashuri, solidaritet lidhje dhe forcë me njëri-tjetrin”,- sqaroi ajo.