HomeLajmi i Fundit

Vrasja e dyfishtë në Lezhë, arrestohet një bashkëpunëtor

Arrestohet personi i dytë i dyshuar si bashkëpunëtor në vrasjen e dyfishtë që ndodhi më 27 prill në Lezhë ku humbën jetën Kol Murrani dhe miku i tij Preng Simoni.

Në pranga ka rënë 35-vjeçari, Agron Lushi, banues në Lalm Lukaj, Lezhë, me precedent kriminal, i dënuar më parë për plagosje me armë.

Për këtë ngjarje ishte arrestuar më parë 40-vjeçari Aleksandër Përdoda i cili është i dyshuari kryesor si autor i saj.

Lezhë

Vijon intensivisht puna hetimore për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë me prova ligjore të ngjarjes së ndodhur në Lalm Lukaj, Lezhë.

Kapet dhe ndalohet bashkëpunëtori i autorit të dyshuar të vrasjes me armë zjarri të shtetasve K. M. dhe P. S.

Vihet në pranga 35-vjeçari, i dënuar më parë për plagosje me armë.

Në lidhje me zbardhjen e ngjarjes së datës 27 prill, grupi i posaçëm hetimor, i përbërë nga specialistë të Krimeve të Rënda në Departamentin e Policisë Kriminale dhe të DVP Lezhë, nën drejtimin e Prokurorisë Lezhë, në vijim të veprimeve, në bashkëpunim edhe me Institutin e Policisë Shkencore, ka bërë të mundur sigurimin e provave shkencore për bashkëpunëtorin e autorit të dyshuar të ngjarjes.

Bazuar në këto prova shkencore është bërë kapja dhe ndalimi i shtetasit A. L., 35 vjeç, banues në Lalm Lukaj, Lezhë, me precedent kriminal, i dënuar më parë për plagosje me armë.

Materialet procedurale u referuan në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Lezhë, në ngarkim të shtetasit A. L., për veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese” e kryer në bashkëpunim dhe “Armëmbajtja pa leje”

K.S/GotaNews