HomeSociale

Vrasja e kalimtarit/ Kush janë 5 të arrestuarit në Kavajë

Policia e Kavajës ka arrestuar dje 5 persona në lidhje me përplasjen me armë zjarri, që i mori jetën një kalimtari të rastësishëm në mes të qytetit.

Kavaje-vrasja

Tre prej të arrestuarve kanë mbetur të plagosur gjatë të shtënave me armë dhe iu komunikua arresti në Spitalin e Durrësit, ku ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Gjithashtu u arrestua edhe një bashkëpunëtor i tyre, i cili ditën e ngjarjes arriti të fshihej, si dhe një person i dyshuar për moskallëzim krimi dhe veprime që pengojnë zbardhjen e së vërtetës.

Burimet thanë dy ditë më parë se ngjarja ndodhi për shkak të mosmarrëveshjeve të dy grupeve kriminale për çështje droge.

Ndërsa dje, vetë protagonistët e kësaj ngjarjeje, ata që kanë arritur të pyeten nga Policia, kanë treguar për një sherr banal të çastit, i cili ka nisur pas ofendimeve, edhe pse rastësisht të gjithë ishin të armatosur.

Njëri nga autorët e dyshuar, Marjus Aliu, i cili mbeti i plagosur, ka treguar se bashkë me të vëllanë, i cili është shpallur në kërkim, se kishin shkuar për t’u sqaruar, por pala tjetër i ka ofenduar dhe në këtë mënyrë ka ndodhur përleshja.

TE ARRESTUARIT

Burime nga Policia e Tiranës thanë se në lidhje me ngjarjen ku mbeti i vrarë një kalimtar i rastit dhe u plagosën 5 të tjerë, 2 nga të cilët nuk kishin lidhje me ngjarjen, kanë arrestuar 5 persona.

Ndërsa është shpallur në kërkim Denis Aliu, vëllai i njërit prej të dyshuarve, që po ashtu mbeti i plagosur. Në pranga përfunduan: Marjus Aliu, Ardian Dedej, dhe Eraldo Hyka, të cilët ndodhen në spitalin e Durrësit jashtë rrezikut për jetën, si dhe Qazim Merkaj e Agron Kollçaku, ky i fundit për moskallëzim krimi.

Policia ka shoqëruar edhe vëllanë e Eraldo Hykës si të dyshuar për ngjarjen, i cili më pas është lënë i lirë, pasi nuk ka rezultuar të ketë lidhje me shkëmbimin e zjarrit.

“Nga veprimet e kryera deri tani rezulton se ngjarja ka ndodhur për motive të dobëta, ku shtetasit E.H., A.D. dhe Q.M. janë konfliktuar me shtetasit M.A. dhe D.A., konflikt, i cili është përshkallëzuar deri në përdorim të armëve dhe për pasojë ka gjetur vdekjen e menjëhershme një kalimtar i rastit, shtetasi R.H., 52 vjeç, banues në Kavajë, si dhe janë plagosur shtetasit A.D., E.H., A.A., S. M. dhe M.A., të cilët kanë marrë ndihmën mjekësore në Spitalin e Durrësit dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën”, tha zyrtarisht Policia.

TE ARRESTUAR

1. Marjus Aliu, 31 vjeç, i plagosur, banues në Kavajë
2. Ardian Dedej, 43 vjeç, i plagosur, banues në Kavajë, i dënuar më parë
3. Eraldo Hyka, 22 vjeç, i plagosur, banues në Kavajë
4. Qazim Merkaj, 25 vjeç, banues në Kavajë
5. Agron Kollçaku, 39 vjeç, banues në Kavajë, akuzohet për “Moskallëzim krimi” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.panorama.al


TË NGJASHME