HomeSociale

Vrasja e kushërinjve në Laç, mbeten në burg autorët

Gjykata e Kurbinit ka lënë në burg 3 autorët e dyshuar të vrasjes së dy kushërinjve në Laç. Tre të akuzuarit Manuel Bushi, Markel Bushi dhe Vincent Bushi kanë dalë sot para gjykatës për t’u njohur me masën e sigurisë.

Kelvin dhe Erjon Jushi u vranë mbrëmjen e 28 prillit në Laç. Sipas policisë, vrasja ndodhi për motive banale pas një konflikti të çastit. Sherri verbal për motive të dobëta nisi brenda ambienteve të një lokali mes kushërinjve Kelvin dhe Erjon Jushi me Manuel Bushin. Ky i fundit më pas ka thirrur edhe vëllain e madh me kushëririn të cilët erdhën në lokal të armatosur.

Kushërinjtë Jushi tentuan t’i shmangen përplasjes me armë dhe dolën në rrugë por nuk mundën t’i shmangeshin breshërisë së plumbave. Ata mbetën të plagosur dhe u transportuan në Tiranë për ndihmë mjekësore por nuk mundën tu mbijetonin plageve të marra. 30-vjecari Kelvin Jushi është një personazh i njohur në Laç pasi në periudhën 2009-2014 ka qenë futbollist me ekipet e Laçit, Kastriotit dhe Mamurrasit.

Një prej autorëve të dyshuar, 25-vjeçari Markel Bushi është person me precedentë penalë dhe në kërkim nga policia që në vitin 2013 pasi akuzohet për grabitje me armë.
Në vitin 2012 ai së bashku me një person tjetër kanë sulmuar me arme disa vajza dhe i kanë grabitur. Për këtë ngjarje ai u arrestua nga policia dhe mundi të arratisej disa muaj më vonë nga burgu dhe u dënua në mungesë nga gjykata me 9 vite burg. Policia ka tentuar edhe në 2013 ta arrestojë sërish por ai i është kundërpërgjigjur me armë dhe ka mundur t’i shpëtojë prangave.

Me precedentë penalë është edhe autori tjetër i dyshuar 28-vjeçari Vinçens Bushi. Ai ka qenë i arrestuar dhe dënuar në 2017 për armëmbajtje pa leje, ndërsa është liruar nga drejtësia me shërbim prove. Fillimisht ai u dënua me 6 vite burg, për shkak të gjykimit të shkurtuar iu ul masa në 1/3 dhe 2 vitet që i mbetën iu lanë në shërbim prove. Bashkia Kurbin dërgoi në gjykatë një letër me arsyetimin se Pali ka sjellje të mirë në komunitet.


TË NGJASHME