Aktualitet Lajme Lajmi i Fundit

Vrasja e punëtorit të kondicionerëve, dëshmia e babait të autorit

Është zbardhur e plotë dosja e Indrit Çelaj, punëtorit të kondicionerëve, i cili humbi jetën, pasi u qëllua me plumb në kokë më 22 gusht dhe ndërroi jetë në spitalin e Traumës. Autor i dyshuar i ngjarjes është Griseldo Kusi, i cili është shpallur në kërkim nga policia.

Në dëshmitë e zbardhura nga prokuroria, babai i Griseldo Kusit, Bujar Kusi, i cili ndodhet në qelli, i akuzuar për “veprime që pengojnë zbardhjen e  së vërtetës”, thotë se djemtë e tij, ditën e ngjarjes kanë qenë në plazh, tek Gjiri i Lalzit, së bashku me dy shoqe dhe se i kishin kërkuar atij 50 mijë lekë të rinj. Ai thotë më tej se kishte qenë në shtëpi kur  e kishte marrë në telefon policia duke i kërkuar të paraqitej tek banesa e tij në rrugën “Muhamet Gjollesha” dhe se aty kishte mësuar se çfarë kishte ndodhur.

Më tej në dëshminë e tij, Bujar Kusi thotë se kishte marrë në telefon shtetasin Mondi Sula, i cili i ka thënë se ka qenë Lorenc Veliaj i cili kishte bërë sherr me punëtorin e kondicionerit dhe se e kishte qëlluar më pas.

Por kjo dëshmi e Bujar Kusit bie ndesh me dëshminë e ustait të gipsit, Durim Avdo, i cili ka qenë gjithashtu duke punuar në vilën tre katëshe, në momentin që ndodhi ngjarja. Ai ka dëshmuar se ka parë Griseldo Kusin të futej në vilë dhe se më pas e ka dëgjuar t’i bërtiste 26-vjeçarit Indrit Çelaj. “Griseldo ka nxjerrë nga brezi një armë zjarri tip pistoletë dhe ja ka mbështetur në kokë punëtorit të kondicionerëve dhe e ka qëlluar, në këtë moment unë kam parë se punëtori i kondicionerëve ra në tokë si dhe nga koka po i dilte gjak”, ka thënë ai mes të tjerash.

Ndërkohë, Ali Sula, i cili ishte i njohur me Bujar Kusin dhe i kishte dërguar punëtorët, ka deklaruar se pas ngjarjes, banorët e lagjes i kishin treguar se kishte qenë Lorenc Veliaj ai i cili ishte konfliktuar me punëtorin e kondicionerit.

Dëshmia e Bujar Kusit:

“Fillimisht i është marrë procesverbal deklarimi shtetasit Bujar Kusi, si person që ka dijeni për rrethanat objekt hetimi, pronar i banesës, i cili ndër të tjera ka deklaruar se: “Sot më datën 22 gusht, në orën 07:00 të mëngjesit, kam shkuar në Kombinat tek dyqani im, i cili ndodhet në qendër të Kombinatit, është byrektore. Aty kam qëndruar deri në orën 12:30. Rreth orës 11:00 më ka marrë në telefon djali im, shtetasi Griseldo Kusi dhe më ka kërkuar shumën e parave prej 50 mijë lekësh të rinj. Unë e kam pyetur se për çfarë i duhen dhe ai më ka thënë se do të dalë ai dhe vëllai, Albano me dy shoqe. Unë më pas shkova dhe tërhoqa shumën e parave që më kërkoi djali tek banka. Kam edhe faturën e bankës në banesë dhe këtë shumë parash ua kam dhënë dy djemve. Më pas unë shkova në banesën time, të cilën e sqarova më lart. Ndërkohë që kam qenë në banesë, dikush i Policisë më ka telefonuar dhe më ka thënë se duhet të paraqitesh tek objekti, i cili ndodhet në rrugën “Muhamet Gjollesha” , banesë private 3-katëshe, prapa shkollës “Sabaudin Gabrani”, ku unë jam pronar dhe kam qenë duke rregulluar tubat e kondicionimit të kësaj banese. Jam paraqitur te banesa ime dhe aty mësova se çfarë kishte ndodhur. Rreth orës 13:55, ndërkohë që unë kam qenë në objekt në prani të punonjësve të Policisë, unë kam marrë në telefon shtetasin

Mond Sula dhe i kam thënë se kush janë punëtorët e kondicionimit që më ka sjellë. Mondi më ka thënë se paskan bërë sherr Lorenc Veliaj me këtë punëtorin e kondicionerit dhe Lorenci e paska qëlluar me armë zjarri punëtorin e tubave të kondicionerit, të cilin me emër nuk e njoh, por mësova se ishte në gjendje të rëndë shëndetësore në Spitalin Ushtarak. Të dy djemtë e mi, Albano dhe Griseldo, në dijeninë time ndodheshin në plazh, tek Gjiri i Lalëzit, në Durrës, me dy shoqet e tyre, të cilat nuk i njoh”.

Dëshmia e ustait të gipsit Durim Avdo:

“Kam dëgjuar Griseldon t’i bërtiste punëtorit të kondiconerëve me zë të lartë me fjalët “Çfarë po bën përse po e hap atë vrimë aty dhe ku do e çosh shkakrimin e kondicionerëve” dhe punëtori i kondicionerëve i ka thënë fjalët “nuk e di unë se ku do jetë shkarkimi” dhe Griseldo më pas i është drejtuar me fjalët “kur se di ti, nga do ta di unë” dhe menjëherë në këtë moment Griseldo ka nxjerrë nga brezi një armë zjarri tip pistoletë dhe ja ka mbështetur në kokë punëtorit të kondicionerëve dhe e ka qëlluar, në këtë moment unë kam parë se punëtori i kondicionerëve ra në tokë si dhe nga koka po i dilte gjak. Më pas Griseldo ka marrë gëzhojën e cila ra në tokë dhe ka dalë nga objekti”

Dëshmia e Ali Sulës:

I është marrë procesverbal deklarimi shtetasit Ali Sula, i cili ndër të tjera ka deklaruar se: “Unë njihem edhe me emrin Mondi Sula. Kam njohje personale me shtetasin Bujar Kusi, të cilin e kam takuar para rreth dy muajsh në lagje dhe më ka thënë se do të bëjë ca punime kondicionimi tek banesa 3-katëshe, e cila ndodhet në rrugën “Muhamet Gjollesha”, afër shkollës “Sabaudin Gabrani”. Unë i kam thënë Bujarit se njoh një shok, i cili bën punime të tilla dhe është shtetasi Alfred Çaka. E kam takuar Alfredin para rreth dy muajsh dhe i kam treguar për punimet që do të bënte Bujari tek banesa e tij. Alfredi ka rënë dakord që të shohë banesën dhe të bëj pazarin me pronarin e banesës, shtetasin Bujar Kusi. Alfredi kishte filluar punimet tek banesa e Bujarit. Unë gjatë kësaj kohe kam pasur telefonata me Alfred Çakën dhe e kam pyetur si po shkojnë punimet dhe ai më thoshte se punimet po shkonin mirë e se ishte drejt përfundimit.

Më datë 22 gusht, rreth orës 11:30, më ka marrë në telefon Alfredi dhe më ka thënë se janë ngatërruar tek puna e tij. E kam pyetur se kush ishte ngatërruar dhe ai më ka thënë se nuk dinte gjë. Më ka thënë që të shkoja te puna dhe të shihja çfarë kishte ndodhur. Unë shkova tek lokali me emrin ‘V…’, që ndodhet ngjitur me banesën e Bujarit dhe aty nuk kishte asnjë njeri. Jam afruar tek objekti dhe nuk kam parë asnjë njeri. Dola në rrugën kryesore, përsëri nuk kam parë njeti. Jam kthyer përsëri afër banesës dhe kam dëgjuar disa qytetarë, që unë mendoj se janë banorë të lagjes, duke thënë se punëtori ka bërë sherr me Lencin. Lenci është një djalë i lagjes, i cili banon në atë lagje dhe e njoh si fizik, si fytyrë dhe më pas jam larguar e shkova në banesën time në Bërxullë.

Rreth orës 14:17, ndërkohë që unë kam qenë tek Ura e Limuthit, më ka marrë në telefon Bujar Kusi dhe më ka pyetur se çfarë kishte ndodhur tek banesa e tij dhe kush ishte punëtori që ishte ngatërruar aty. Unë i kam thënë: ‘O vëlla nuk di gjë kush është punëtori, po dëgjova që është ngatërruar me Lencin’. Më pas më ka marrë në telefon dikush nga Policia dhe më ka thënë se do të paraqitesh në Drejtorinë e Tiranës dhe më pas unë e mora në telefon shtetasin Alfred Çaka dhe i kam thënë se do të shkojmë të dy në Drejtorinë e Policisë Tiranë, pasi na kërkojnë dhe kështu kemi vepruar. Të dy jemi paraqitur në Drejtorinë e Policisë. Dua të sqaroj se Alfredin e kam pyetur rrugës se kush janë punëtorët që janë zënë aty, ai më ka thënë se është një djalë me emrin Indrit, që e kishte marrë në punë para katër ditësh”.

Dëshmia e Luan Cakës:

I është marrë procesverbal deklarimi shtetasit Luan Çaka, i cili ndër të tjera ka deklasuar se: “Sot kam qenë tek banesa ku ka ndodhur ngjarja dhe aty kam gjetur tre punëtorët e gipsit. Pas pak kanë ardhur edhe 2 elektricistë. Unë së bashku me Indritin kemi punuar në katin e parë. Pas rreth dy orësh, Indritri më ka thënë që të shkoja të blija cigare, një pije energjike dhe dy çokollata. Unë dola dhe jam kthyer pas rreth 15 minutash. Kur jam kthyer, pashë që dera kryesore e banesës ishte e mbyllur dhe aty ndodheshin të pestë punëtorët, të cilët nuk më kanë lejuar që të futem në banesë. U kam kërkuar shpjegime dhe nuk më kanë dhënë. Më pas jam larguar tek makina ime. Derisa unë kam qenë në objekt nuk ka pasur ndonjë problem”.

Dëshmia e Alfred Çakës:

I është marrë procesverbal deklarimi shtetasit Alfred Çaka, i cili ndër të tjera ka deklaruar se: “Para rreth dy muajsh, jam takuar me shtetasin Bujar Kusi. Këtë gjë ma ka kërkuar shtetasi Ali Sula, komshiu im. Bujari kishte për të bërë disa punime tek banesa e tij dhe kemi rënë dakord që këto punime t’i bëja unë. Punimet kam filluar t’i bëj para një muaji, punime kondicionimi. Tek kjo banesë kam kryer punime me vëllain tim dhe djalin që është plagosur, me emrin Indrit. Mbiemrin nuk ia kam mësuar. Me këta dy persona kam punuar rreth 8 ditë. Më datë 22 gusht, nuk kam qenë fare tek banesa e shtetasit Bujar Kusi, por kam qenë duke kryer punime në Nikël të Krujës. Rreth orës 14:00, më ka marrë në telefon Mondi (Ali Sula) dhe më ka thënë që të shkoja se na kërkonin në Drejtorinë e Policisë së Tiranës. Unë i kam thënë që të më priste në Bërxullë dhe kam shkuar atje dhe e kam marrë. Më pas jemi paraqitur në Polici. Më 22 gusht, rreth orës 10:30, më ka marrë në telefon vëllai im, shtetasi Luan Çaka dhe më ka thënë se Indriti është vrarë. Unë kam pyetur se çfarë ka ndodhur dhe ai më ka thënë se në derën e banesës ishin punëtorët e gipsit dhe nuk e lejonin të hynte në banesë. Më pas aty kishte shkuar ambulanca dhe e kishin marrë duke e dërguar në Spitalin Ushtarak”.

Related posts

Pija natyrale që ndihmon të luftoni sëmundjet e zemrës

Mila

Përfundojnë punimet, hapet plotësisht aksi Tiranë-Elbasan

Xhensila Gotanews

Aktorja e njohur bëhet nostalgjike! Publikon foton e para shumë viteve

Xhensila Gotanews
Na Kontaktoni!