HomeLajmi i Fundit

Vrasja e teknikut të kondicionerit, dëshmia e personit që zbuloi autorët

Lorenc Veliaj eshte personi qe zbuloi emrat e autoreve te krimit te ndodhur në rrugën “Muhamet Gjollesha”, te banesa e shtetasit Bujar Shaqir Kusi, djemte e te cilit jane ne kerkim per vrasjen e Indrit Çelajt, punetorit qe merrej me vendosjen e kondicionereve. 

Dëshmitë ekskluzive të Veliajt, cfare ndodhi dhe si autori tentoi te bindtte ate qe te merrte persiper fajin, duke e mashtruar se vetem e kishte qelluar me qyten e pistoletes, por nuk e kishte vrare.

LORENC VELIAJ

I është marrë deklarim shtetasit Lorenc Veliaj, i cili ndër të tjera deklaron se: “Unë aktualisht jam në kërkim për një ngjarje në Komisariatin e Policisë nr. 4, Tiranë, pasi Gjykata e Tiranës, më ka caktuar masën e sigurisë ‘Arrest me burg’. Që prej asaj date, unë u jam fshehur organeve të drejtësisë, duke qëndruar në pronën (ish-piceri) e shtetasit Ali (Edmond) Sula, në Bërxullë, Tiranë.

Unë, më 22 gusht, kam qenë në pronën e Ali Sulës dhe rreth orës 11:40 aty ka ardhur shtetasi Griseldo Kusi, të cilin e njoh pasi kemi qenë në burg me vëllain e tij, Alban Kusi dhe prej asaj kohe kemi vazhduar shoqërinë. Griseldo ka ardhur i vetëm dhe më ka takuar, ku gjatë takimit më ka treguar se kishte ardhur pasi kishte një hall, për të cilin unë mund ta ndihmoja.

Kështu më ka treguar se te vila e tij 3-katëshe, e cila ndodhet në afërsi të shkollës ‘Sabaudin Gabrani’, ai (Griseldi) kishte qëlluar me qytën e pistoletës një person, të cilit nuk ia dinte emrin, por më ka treguar se ishte punëtori i tij, i cili po montonte kondicionerët. Më pas, Griseldo më ka shpjeguar se personin e kishin dërguar në spital pasi ishte çarë në kokë.

Po kështu, Griseldo në mënyrë shoqërore më ka kërkuar që ta marr unë përsipër këtë ngjarje (krim), duke qenë se kisha edhe një problem të hapur me drejtësinë dhe ai më ka mbushur mendjen duke më thënë që nuk është vepër e rëndë. Griseldo më ka thënë se me personin, të cilin e kishte qëlluar me qytën e armës, do e mbyllte vetë problemin, ndërsa për drejtësinë më ka kërkuar mua ta marr përsipër. Unë e kam pyetur Griseldon mos kishte bërë ndonjë gabim dhe e kishte qëlluar me plumb këtë person, por ai më ka thënë se jo, e kam qëlluar vetëm me qytën e pistoletës.

Griseldo ka qëndruar me mua deri në orën 13:30 dhe gjatë kësaj kohe ka ardhur edhe shtetasi Ali (Edmond) Sula, i cili me sa kuptova unë, ishte në dijeni të kësaj ngjarjeje. Aliu ka marrë Griseldon dhe janë larguar së bashku me makinën e Aliut. Pasi ka ikur Griseldo, unë jam menduar për ngjarjen që më tregoi ai dhe duke qenë se unë kam në përdorim një aparat celular Samsung, kam hyrë në ‘Google’ dhe aty kam parë lajmin ku kam lexuar se personi që më kishte treguar Griseldo ishte goditur me plumb në kokë dhe ndodhej në gjendje të rëndë në Spitalin Ushtarak.

Menjëherë pas këtij lajmi që lexova, kuptova se Griseldo më kishte mashtruar dhe unë jam frikësuar, sepse s’kisha pse të merrja këtë risk mbi vete. Ndaj kam vendosur të vetëdorëzohem në Policinë e Tiranës dhe për të treguar të vërtetën në lidhje me këtë ngjarje. Unë që kur jam shpallur në kërkim jam fshehur në ish-picerinë e këtij shtetasi, duke qenë se kam shok shtetasin Ali Sula, pasi i tregova se kam disa probleme me drejtësinë.

Griseldon unë e kam njohur prej vëllait të tij, me të cilin kemi qenë së bashku në burgun e Vaqarrit. Pasi kemi dalë nga burgu, me vëllain e tij Albanin e kemi përforcuar shoqërinë, po kështu edhe me Griseldon. Unë di se Griseldo merret me persona pasi ka dyqane, si dhe një vilë, e cila po rikonstruktohej dhe që për rikonstruksionin e saj kujdesej zakonisht Griseldo, i cili më ka treguar se shkonte shpesh dhe kontrollonte punëtorët, vila në të cilën më tregoi se kishte ndodhur edhe ngjarja e djeshme.

Griseldo vinte shpesh në një lokal afër vendit ku unë fshihesha nga Policia gjatë kësaj kohe dhe pinim kafe së bashku me vëllain e tij Albanin, si dhe Aliun. Griseldo mbante në shumicën e rasteve armë zjarri me vetë të llojit pistoletë, zakonisht e mbante në një çantë me ngjyrë të zezë. Nuk e di çfarë lloji, por nuk ishte pistoletë ‘TT’.

Griseldo me Aliun janë shokë të ngushtë, qëndronin së bashku shpesh, si në afërsi të banesës së Aliut, ashtu edhe në zonën e ‘Myslym Shyrit’, apo edhe tek lokali ‘V…’, ku qëndronte shpesh Griseldo me njerëzit e vet. Atje kam pirë edhe unë kafe së bashku me Griseldon, si dhe Albanin dhe Aliun.

Ka pasur raste që aty kishte edhe shokë të tjerë të tyre, të cilët i njoh vetëm me fytyra. Aliun e kam takuar kur ai ka ardhur aty, pasi Griseldo kishte ardhur në ish-biznesin e tij. Gjatë kësaj kohe, unë nuk e di se ku ndodhej Aliu. Pasi kemi mbaruar bisedën, kur jam larguar, Griseldo dhe Aliu kanë ikur të dy së bashku me një automjet, të cilin unë nuk e kam fiksuar./panorama.al