HomeSociale

Xhaçka: Gati asistenca ushqimore për më shumë se 30 mijë familje

Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka është rikthyer në mjediset e Rezervave të Shtetit për të parë situatën, shoqëruar edhe nga Shefi i Shtabit të Përgjithshëm Gjeneral Bardhyl Kollçaku dhe Drejtori i Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile Haki Çako.

Rezervat e Shtetit në Lundër, janë kthyer në një kantier për të bërë të mundur asistencën me pako ushqimore të mijëra familjeve në nevojë.

“E rëndësishme është që kontrata që sapo kemi finalizuar, prej 830 mijë eurosh, na krijon mundësinë që të furnizohemi me mallra ushqimore për t’i ardhur në ndihmë mbi 30 mijë familjeve”, u shpreh ministrja Xhaçka.

Drejtori i Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, Haki Çako garantoi se deri më tani situata është plotësisht në kontroll në bashkëpunim edhe me kryetarët e bashkive. Ndërsa Shefi i Shtabit të Përgjithshëm Gjeneral Bardhyl Kollçaku theksoi se FA do të dyfishojnë kapacitetet për të ndihmuar jo vetëm me operacionin e shpërndarjes në terren, por edhe për çdo nevojë tjetër.

Ligji “Për Mbrojtjen Civile”, ngarkon me përgjegjësi primare bashkitë, si strukturat e para që duhet të reagojnë në raste emergjencash civile apo fatkeqësi natyrore, për marrjen e masave dhe sigurimin e asistencës me ushqimet bazë, pikësëpari të familjeve në nevojë. Pas bashkive, Ministria e Mbrojtjes, përmes Rezervave të Shtetit ndërhyn për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve.

“Deri më tani me ndihmën e pushtetit vendor, shërbimit social edhe të gjithë aktorëve të tjerë është bërë e mundur ndihma për mbi 250 mijë qytetarëve dhe familjeve në nevojë. Cilatdo të jenë sfidat me të cilat mund të përballemi, për shkak të luftës me një armik të padukshëm, puna vijon për sigurimin e nevojave ushqimore pa ndërprerje, përgatitjen e pakove familjare dhe dërgimin e tyre derë më derë përmes Rezervave të Shtetit, pushtetit vendor, Forcave të Armatosura, Policië së Shtetit, Shërbimit Social apo shoqatave bamirëse”, bëri me dije ministrja Xhaçka.

K.S/GotaNews


TË NGJASHME