HomePolitikë

Zamira Cavo:”Dua të protestoj edhe unë, por për hallet e mia, jo të opozitës”

Nga Zamira Çavo

Dua te protestoj… kam njëmijë arsye. Dua të protestoj, sepse taksat që më duhet të paguaj, rriten çdo ditë e askush nuk e vret mendjen për këtë…

Dua të protestoj se nuk di ç’po ha.. as mishi, as qumështi e as perimet, nuk i kontrollon kush për cilësinë, apo skadencën e tyre…

Dua të protestoj se rrugët e lagjes ku banoj janë bërë gropa- gropa nga ndërtimet që askush nuk i kontrollon.

Dua të protestoj, sepse me të ardhuart që kam, nuk mund t’i lejoj vetes një palë pushime jashtë vendit në resorte, apo në hotele jo fort luksoze…

Dua të protestoj…

Pra, dua ti bashkohem thirrjeve për protestë që bën opozita! Por Opozita nuk do të protestojë për hallet e mia. Ajo proteston për hallet e veta! Dhe hallet e saj janë krejtësisht të kundërta me të miat! Ajo proteston, sepse rrezikon të humbasë disa nga dhjetra vilat që disponon, rrezikon të humbasë disa nga milionat që vetë i ka deklaruar se i zotëron!

Ajo proteston sepse rrezikon të humbasë disa nga llogaritë bankare qe u ka lënë fëmijëve, nipërve apo mbesave!

Ajo proteston, sepse mund të humbasë disa nga shëtitjet me jahte, me avionë, apo pushimet në resortet me luksoze të botës…Dhe proteston se ka frike se mos humbas disa.. sepse përsëri i mbeten shumë të tjera…

Pra dhe nëse dua te protestoj , nuk di si mund ta bëjë këtë, pasi edhe të tjeret që mund të kenë këto hallet e mia ( dhe besoj se janë shumë fare) nuk do më bashkohen. Një pjesë e tyre preferon të protestojë për hallet e te tjerëve…


TË NGJASHME