HomeLajmi i Fundit

Zbardhen debatet te ‘Shullazi’

Seanca e radhës për çështjen ndaj grupit të Emiljano Shullazit në Apelin e Krimeve të Rënda është shoqëruar me debate të ashpra në sallë. Gjatë shqyrtimit të djeshëm të çështjes gjyqësore, që ashtu si në seancat paraardhëse u mbyll me shtyrje, avokati i njërit prej të akuzuarve ka kërkuar dorëheqjen e kryesueses, gjyqtares Albana Boksi. 

Nga ana tjetër, edhe vetë Gilmando Dani kërkoi për të disatën herë përjashtimin e gjyqtarit Arben Vrioni.

Bledar Shania, avokati i Endrit Zelës, kërkoi dorëheqjen e kryesueses së trupës, Albana Boksi, duke pretenduar se është në një tjetër proces administrativ në Gjykatën e Shkodrës me xhaxhanë dhe babanë e gjyqtares.

Avokati sqaroi se ai po mbron palën e paditur nga të afërmit e gjyqtares, madje këta të fundit e kanë fyer gjatë procesit, duke e etiketuar si kriminel. Kjo kërkesë u refuzua nga trupa gjykuese, çka bëri që avokati të braktisë sallën e gjyqit, me pretendimin se nuk mund të vijojë procesin me një trupë gjykuese që ka konflikt interesi.

Avokati theksoi se gjyqtarja Boksi nuk mund të japë një vendim të drejtë, për shkak se mund të ketë ndikim nga ana familjare.

Të njëjtin qëndrim mbajti edhe i pandehuri Endrit Zela. Ndërsa i pandehuri tjetër, Gilmando Dani, kërkoi për të disatën herë përjashtimin e gjyqtarit Arben Vrioni.

Dani pretendon vazhdimisht se Vrioni nuk mund të gjykojë drejtë çështjen ku ai është i pandehur, duke qenë se vëllai i gjyqtarit e ka kallëzuar penalisht Gilmando Danin dhe vëllanë e tij, lidhur me një aksident të ndodhur më parë.

Në përfundim, Gjykata e Apelit për Krime të Rënda vendosi t’i caktojë Endrit Zelës një avokat kryesisht. Në fund, seanca e radhës u vendos që të zhvillohet më datë 28 tetor, në orën 11:00. Emiljano Shullazi dhe të pandehurit e tjerë u dënuan në shkallë të parë me 55 vite burg për një sërë veprash penale në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.