HomeLajmi i Fundit

Zbardhen kodet e porositësve dhe mesazhet e Arbër Çekajt

arbercekaj

Prokuroria për Krime të Rënda kërkoi 35 vite burg në total për 3 të pandehurit për trafikimin e sasisë prej 613 kilogramë kokainë nga Kolumbia. Për më shumë se 2 orë, prokurori i dosjes lexoi para Gjykatës përfundimet e hetimeve njëvjeçare, duke dalë në konkluzionin se kokaina ishte sjellë në Shqipëri nga një grup i strukturuar kriminal dhe se pjesë e këtij grupi, si një prej krijuesve, është Arbër Çekaj, pronari i kompanisë që kishte porositur banane dhe kërkoi për të dënimin me 21 vite burg, që për shkak të gjykimit të shkurtuar i shkon në 14 vite. 

Pjesë e grupit, tha prokurori Edvin Kondili, janë edhe Donaldo Lushaj dhe Armando Pezaku, për të cilët kërkoi respektivisht 10 vite e 8 muaj burg dhe 8 vite e 8 muaj burg. Për prokurorin, fajësia e tyre është provuar dhe para Gjykatës paraqiti një sërë provash dhe analizë faktesh.

Sipas prokurorit, një bisedë mes Çekajt dhe Lushajt në momentin që kontejneri ishte i ndaluar në Portin e Durrësit, itinerari dhe përzgjedhja e kontejnerit nga kompania që kishte lidhje me kompaninë e Arbër Çekajt, tregon dijeninë e tij dhe përgatitjen për të sjellë në Shqipëri këtë sasi. Edhe përzgjedhja e shoferit Armando Pezaku, tha Kondili, nuk është rastësore, siç pretendohet nga të pandehurit, por është e qëllimshme, në mënyrë që ai të bënte shoqërinë e kësaj ngarkese.

PRETENCA 

“Policia ka marrë njoftim nga përgjegjësi i kontejnerëve në Doganën Durrës se do të bëhej kontroll i një kontejneri me banane me origjinë nga Kolumbia, pasi kishte dalë me shenjë ‘RED’ (me risk të lartë). Është shkuar në terminalin e kontejnerëve dhe për shkak të motit me shi janë zhvendosur në sheshin e terminalit doganor, pranë peshores, ku është vendosur dhe kontejneri i kompanisë ‘Pelikani transport’.

Në kontroll kanë qenë prezentë njësia e kontejnerëve, dy oficerë të seksionit të narkotikëve të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, një nga Dogana dhe një nga Policia Kufitare. Po kështu, gjatë kontrollit kanë qenë të pranishëm dhe oficerë të hetimit doganor. Nga ana e subjektit që kishte mallin ishte prezent agjenti doganor, përfaqësuesi i firmës ‘Arbri Garden’, shtetasi/i pandehuri Donaldo Lushaj dhe disa punëtorë për të shkarkuar bananet.

Nga dokumentacioni rezultonte se ky kontejner, pasi ishte nxjerrë nga Dogana me analizë risku dhe me orientimin për t’u skanuar, më pas i është nënshtruar skanerit, ku ka rezultuar i markuar me ‘Red’, në fundin e kontejnerit. Duke parë këto dyshime, nisur edhe nga pamja e skanerit, është bërë një ndërhyrje në mesin e kontejnerit me trapano, duke bërë një vrimë. Nga kjo vrimë është konstatuar se ka dalë një material i bardhë, i cili për nga ngjyra, era dhe karakteristikat, ngjasonte me lëndën narkotike kokainë. Në vazhdim është lejuar kontejneri të dalë nga Porti i Durrësit i ngarkuar me banane. Ndërkohë, shtetasit Donaldo Lushaj dhe Armado Pezaku janë mbajtur në vëzhgim nga ana e Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale.

Disa momente pas mbërritjes së kamionit në magazinat e firmës ‘Arbri Garden’, është vendosur ndërhyrja e punonjësve të Policisë, pasi vetë orari i vonë, errësira, pozicioni dhe shtrirja e magazinës frigoriferike të firmës ‘Arbri Garden’, nuk lejonin mbajtjen nën monitorim dhe rrezikonin heqjen dhe zhdukjen e lëndës narkotike, të konstatuar që në Portin e Durrësit, por që ende nuk dihej me saktësi se sa ishte ekzaktësisht. Në momentin e ndërhyrjes, punëtorët kanë qenë në vijim të punës për shkarkimin e bananeve nga kontejneri.

Pasi është shkarkuar ngarkesa me banane, është hequr e gjithë shtresa e dyshemesë së kontejnerit duke përdorur mjete prerëse, ku është vënë re se pjesa më e madhe e dyshemesë ishte e mbushur me pako në formë drejtkëndëshe, të vendosura në mënyrë të çrregullt.

Nga kontrolli në dyshemenë e kontejnerit janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provave materiale, 528 pako të mbështjella me natriban, me mbishkrime të ndryshme ‘KE’, ‘020’, ‘CR77’ dhe me ngjyrë jeshile pa mbishkrime, të cilat brenda tyre kanë një sasi lënde e ngurtë, ngjyrë e bardhë, e cila rezultoi të ishte lëndë narkotike e llojit kokainë”.

DYSHIMI 

“Nëpërmjet procesverbalit të datës 20.02.2019 janë analizuar të dhënat e përftuara nga aktekspertimi, për skedar ‘Skype’ ‘Chat’ ‘Messenger’, ku janë konstatuar komunikime të shumta në gjuhën shqipe, anglisht dhe spanjisht me persona të ndryshëm. Rezulton i kontrolluar komunikimi i datës 01.04.2015 deri më datë 10.04.2015 (nga informacionet rezulton se në këtë periudhë në Ekuador është kapur një sasi lënde narkotike kokainë, për të cilën dhe është dyshuar Arbër Çekaj).

Konkretisht, kjo bisedë zhvillohet ndërmjet komunikuesve Arbër Çekaj dhe ‘Anodirë’, dhe është e datës 05.04.2015. Arbër Çekaj: Më ka ndodhur diçka e keqe, kanë bërë diçka të keqe, kështu që s’di çfarë me ba, s’më lanë të kthehem. Ndërsa Anodirë i përgjigjet: ‘….e di që je pa faj’.

Gjithashtu, është përmendur në këtë procesverbal një komunikim i përdoruesit Arber Çekaj me Donaldo Lushaj më datë 10.11.2014, ku flitet për problem të internetit të zyrës, kërkesën e bërë nga Arbri për të bërë këmbimin e 20 apo 30 mijë dollarëve”.

AUTORITETET GJERMANE 

“Në datë 07.09.2018 iu është kërkuar autoriteteve gjermane kryerja e disa veprimeve hetimore, ku përfshihej edhe pyetja e shtetasit Arbër Çekaj. Me shkresën datë 08.04.2019 janë përcjellë aktet në zbatim të kësaj letër porosie ku dokumentohet marrja në pyetje e personit nën hetim, Arbër Çekaj, më datë 14.12.2018, në ambientet e institucionit të vuajtjes së dënimit Dussëldorf/Ratingen, në prani të prokurorit pranë Prokurorisë Esen, Prokurorit të çështjes në Prokurorinë për Krime të Rënda, mbrojtësit të të pandehurit Arbër Çekaj, avokatit Maksim Haxhia, mbrojtësit gjerman, dhe dy oficerëve të Policisë Gjyqësore shqiptare.

Për sa i përket pyetjes së shtetasit Arbër Çekaj, nga prokurori i është bërë ftesë për bashkëpunim. Mbrojtësi me shtetësi gjermane ka pretenduar faktin se pse kontejneri nuk ishte hapur në vendin e destinacionit (duke pyetur prokurorin lidhur me këtë fakt dhe duke marrë prej këtij të fundit përgjigjen se kësaj pyetje do t’i përgjigjej më vonë) dhe ka pyetur rreth faktit se cilat ishin lehtësirat që i krijoheshin klientit të tij në rast bashkëpunimi, duke vijuar pyetjen me faktin nëse urdhri i arrestit mund të revokohej (duke marrë prej prokurorit përgjigjen negative).

Më tej rezulton se avokati gjerman ka kërkuar kohë të konsultohet me klientin e tij dhe ka marrë një kohë prej dhjetë minutash. Në kthim është shprehur se fillimisht i hetuari nuk do të bënte asnjë deklarim”.

NGARKESA 

“Nisur nga praktika e lëvizjes së kontejnerëve, nga deklarimet e personave që tregojnë rrethana të hetimit, kontejneri do të transportohej në terminalin e Portit Durrës menjëherë pas shkarkimit të ngarkesës me banane, për t’u ngarkuar mbi ndonjë porosi tjetër që kompania së cilës i përkiste kontejneri, mund të merrte për ndonjë ngarkesë të ndonjë kompanie eksportuese nga Shqipëria për në vende të tjera, ende e papërcaktuar në kohë dhe destinacion. Për pasojë, provat e administruara, tregojnë se pikërisht ky ambient, magazina e firmës ‘Arbri Garden’ ka qenë vendmbërritja e parë e lëndës narkotike.

Manipulimi me ngarkesa ‘të ligjshme’, por edhe fshehja jashtë ngarkesës, si në rastin konkret në trupin (dyshemenë) e kontejnerit, është metodë e përdoruar gjerësisht, nga trafikuesit e lëndëve narkotike, gjatë transferimit të lëndës narkotike nga një shtet në një tjetër, në rastin konkret nga Kolumbia në Shqipëri, si vendmbërritje e parë, jo vetëm për të garantuar mënyrën e fshehjes, por edhe për t’u mundësuar të krijojnë alibi, në lidhje me mospërfshirjen e tyre në këto lloj aktivitetesh të kundërligjshme”.

RIPARIMI 

“Një e dhënë tjetër me vlerë të plotë provuese është edhe fakti se gjatë komunikimit me televizionin ‘News 24’, i pandehuri Arbër Çekaj mundohet ta largojë përgjegjësinë e tij, duke pretenduar se kontejneri është i firmës CMA-CGM dhe nuk kanë asnjë lidhje me të apo me firmën ku ai ka porositur bananet. Është e vërtetë që pronësia e kontejnerëve është e kësaj firme, por siç rezulton nga provat e administruara, ‘riparimi’ i tij është bërë nga kompania CFS (Compania Fruitera de Sevilla LLC), një nënkontraktues i Banacol dhe është vetë Banacol që caktoi kontejnerin GESU9449548, ku ishte fshehur lënda narkotike për llogari të dërgesës që do t’i bëhej firmës së të pandehurit Arbër Çekaj. Qartësisht provohet se riparimi për disa ditë i vetëm disa vidave, me një kosto financiare shumë të vogël, është edhe momenti kur në kontejner është fshehur lënda narkotike. Gjithashtu provohet edhe lidhja direkte e Bancol VCFS me të pandehurin Arbër Çekaj dhe lëndën narkotike”.

BISEDA 

“Edhe pse jashtë Shqipërisë, i pandehuri Arbër Çekaj, gjatë kohës që kontejneri mbahej në Doganën e Durrësit, mbante komunikime të shpeshta dhe i shqetësuar me të pandehurin tjetër, Donaldo Lushaj.

Përmendim një komunikim të tyre të datës 27.02.2018, të realizuar në ‘Whatsapp’.

A: Çfarë po bëni?

A: Me kënd je aty?

D: S’kanë gjë në dorë këta.

D: Po presin me ardh nga Tirana

A: Kush ka në dorë?

D: Me Tosin jam.

A: Me ardhë pse?

A: A e kontrolluan?

A: Ai që fola me të tha jam nga Tirana

D: Po, po, me firmos procesverbalin ata që ishin në kontroll

D: Ata po presin që fole ti

A: Antinarkotiku

D: Me ardh me firmos

A: Po a janë normal, pse ikën pa firmos?

A: Kush ia u ka numrat?

A: Nuk është Arlindi?

D: Jo, ka ik Arlindi se një herë thanë mbaruam

D: S’e di është e ngatërrume

D: Veç po flasim kur të shkoj te puna.

Siç rezulton shqetësimet e dy të pandehurve lidhen me Anti narkotikun, pra, me kontrollet që lidhen pikërisht me lëndët narkotike, ku Arbri shprehet se pse nuk po firmosin, përderisa kontrolli ka rezultuar normal për t’u përmendur fakti se nga ana e punonjësve në Portin e Durrësit nuk është prezantuar asnjë shqetësim apo dyshim për prezencën e lëndëve narkotike si ndaj të pandehurit Doinaldo Lushaj por edhe ndaj të pandehurit Armando Pezaku, të dy prezentë, në Port”.

KODET 

“Nga ekzaminimin i pakove objekt ekspertimi, të përzgjedhura nga gjashtë grupet, të fiksuara si provë materiale gjatë këqyrjes se kontejnerit të vendosur në trajlerin me targa DR 3819 E, ndodhur në dt.27.02.2018, në magazinën e kompanisë ‘Arbri Garden’, në Maminas, Durrës, vërejmë se ato në sipërfaqen poshtë ambalazhit kanë sipërfaqe të presuar, të cilat kanë shenja transeologjike, si formë vijash, thellime si ‘BIKE’, ‘020’, ‘CR-77’, ‘Molle 3’, ‘777’ e ‘54’, e kanalizime me forma e pozicione të ndryshme. Thellimet si ‘BIKE’, ‘020’, ‘CR-77’, ‘Molle 3’, ‘T77’ e ‘54’, që ndodhen në sipërfaqen e pakove, pasqyrojnë relievin e mjetit presues”./panorama.al