HomePolitikë

Zbardhet debati/ PE, rezolutë për Shqipërinë

Parlamenti Europian i kërkoi Këshillit që të mos bllokojë hapjen e negociatave të anëtarësimit për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Një mocion për miratimin e një rezolute ka vazhduar deri në orët e vona të mbrëmjes së djeshme, ku përmes një deklarate është thënë se “Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut duhet të vazhdojnë reformat”. Mbledhja është shoqëruar me debate, ku grupet e ndryshme parlamentare i kanë qëndruar deklaratave të mëparshme.

Në rezolutën e tij, Parlamenti Europian “i bën thirrje Këshillit Europian, në dritën e këtyre çështjeve dhe problemeve themelore, të ndalojë frenimin e perspektivës së negociatave të pranimit dhe të kërkojë një propozim të Komisionit për një partneritet të ri me këto vende; I bën thirrje Komisionit të monitorojë përdorimin e fondeve në Maqedoninë e Veriut dhe të sigurojë një raport të hollësishëm në Parlament; Udhëzon Presidentin e tij që t’ua përcjellë këtë rezolutë Komisionit, Këshillit, qeverive e parlamenteve të shteteve anëtare dhe qeverive e parlamenteve të Shqipërisë e Maqedonisë së Veriut”.

DEBATI

Gjatë fjalës së saj, ministrja finlandeze për Çështjet Europiane, Tytti Tuppuraine, shprehu zhgënjim për vendimin e KE-së, por shtoi se do të bëhen përpjekjet për një vendim tjetër. “Duhet të them se jam shumë e zhgënjyer që dështuam të marrim një vendim të qartë dhe të qëndrueshëm javën e kaluar. Kjo mungesë unanimiteti mund të shihet si pengesë për rolin e BE-së në Ballkan dhe për politikën e zgjerimit, që mbetet një investim strategjik për paqen, qëndrueshmërinë dhe zhvillimin e Europës”, theksoi Tuppurainen. ”Megjithatë, kjo nuk do të thotë se ne do ndalojmë këtu, kjo do të thotë se duhen akoma më shumë përpjekje. Është e qartë se Ballkani është fqinji ynë dhe duhet ta ndihmojmë në përparimin e reformave. Në Këshillin Europian, ne jemi të gatshëm të bëjmë pjesën tonë. Presidenca mbetet e përkushtuar për të bërë atë çfarë mundet, në mënyrë që të arrihet një rezultat i qartë dhe i qëndrueshëm”, theksoi ajo. “Do doja të përsërisja se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut po bëjnë përparime konkrete për reformat”, tha ajo.

HAHN

Ndërkohë, komisioneri për Zgjerimin, Johanes Hahn, pohoi se vendet e Bashkimit Europian duhet të qartësojnë sa serioz janë për integrimin. Mes të tjerash, ai theksoi se Komisioni Europian do të vazhdojë të mbështesë Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.”Pas dështimit tonë të javës së kaluar, ne duhet të mendohemi për mënyrën se si duhet t’u përgjigjemi pyetjeve: Cilat janë inkurajimet tona për këto përparime? Ku janë inkurajimet tona? Ku është mbështetja jonë ndaj atyre që ndërmorën rreziqe nga një këndvështrim politik?”, theksoi Hahn.

“Më e pakta që u detyrohemi vendeve të Ballkanit Perëndimor është ndershmëria. Kjo është një politikë zgjerimi e shkruar në traktat, nuk do të thotë të tregohemi të mirë me fqinjët tanë, do të thotë të përfundojmë një proces bashkimi, që ka filluar shumë kohë më parë. Është një proces me rëndësi strategjike”, tha ai.

“Tani, vendet anëtare duhet të tregojnë sesa serioz është angazhimi i tyre kundrejt integrimit të Ballkanit Perendimor. Shqipëria e Maqedonia e Veriut nuk duhen akuzuar, ata bënë gjithçka që u kërkuam të bënin, në mos më tepër”, vuri në dukje Hahn. “Janë bërë reforma mbresëlënëse në Shqipëri e Maqedoninë e Veriut, në drejtësi, në luftën kundër krimit të organizuar. Mendoj veçanërisht për Shqipërinë, ku përparimet kanë qenë mbresëlënëse. Të gjitha këto janë të bazuara në guximin për të kapërcyer pengesat, për të kapërcyer zënkat e së shkuarës”, vijoi ai.


TË NGJASHME