HomePolitikë

Zbardhet debati për reformën. Çfarë ndodhi dje në Kuvend

Reforma Zgjedhore u kthye dje në debatin parlamentar mes deputetëve të opozitës dhe atyre të maxhorancës.

Ralf Gjoni dhe Myslym Murrizi u shprehën të tradhtuar nga maxhoranca në lidhje me Reformën Zgjedhore, duke e akuzuar atë për mungesë vullneti për këtë reformë, në pritje të Partisë Demokratike dhe LSI-së. Nënkryetari i Kuvendit, Myslym Murrizi, kërkoi që Reforma Zgjedhore të mos përqendrohet vetëm te rekomandimet e ODHIR-it, por te ndryshimi i sistemit.

“Zoti Balla, nga njëra anë thoni se ata që kanë dalë në rrugë nuk duan që të votojnë refugjatët. Nga ana tjetër, nga tri herë në ditë si hoxha në za, i bëni thirrje, hajdeni se nuk e bëjmë dot. Për çfarë i doni, që të mos votojnë emigrantët?! Jeni hipokritë! Ne ju themi po, jemi dakord, po ju thoni kemi qejf ata! Kjo është tallje. Ndryshimet që propozon OSBE-ODIHR janë buzëkuq dhe botoks të një trupi me kancer. Këtu është hapur kanceri gjithandej, ti thua ta çojmë te parukierja t’ia rregullojmë pak flokët, t’i fryjmë buzët. Jo, kanceri është sistemi, lëre botoksin, Taulant. Të vëmë gishtin në plagë, ndryshim të sistemit bastard të 2008. Kriza reale sot është krizë artificiale e atij sistemi. Nuk e prishët dot se ju detyruan ta votoni me 140 vota në 2016, tani vini vërdallë dhe thoni hajde të bëjmë buzëkuqe Kodin Zgjedhor”, tha Murrizi. Ndërsa deputeti Gjoni e akuzoi Partinë Socialiste se nuk ka vullnet për të përfunduar Reformën Zgjedhore.

gjoni

Sipas Gjonit, edhe pse kjo maxhorancë mbahet në këmbë nga opozita e re, ajo “flirton” me opozitën jashtëparlamentare. Gjoni paralajmëroi se nuk do të ketë Reformë Zgjedhore pa dakordësinë e opozitës parlamentare. “Prezenca jonë këtu, e dinë gjithë shqiptarët, që mban këtë maxhorancë këtu në këmbë. Ju e dini dhe ne e dimë këtë. Presidenti është krenar sepse e paska shpëtuar Kuvendin nga djegia dhe ka evituar luftë civile. Kryeministri është krenar se po flirton me PD në rrugë dhe është pranë një pazari, sipas fjalëve që po qarkullojnë, zoti Balla.

Ne këtu nuk jemi krenarë, sepse nga momenti që është ngritur komisioni për Reformën Zgjedhore dhe ne arritëm që të ndryshonim objektin e këtij Komisioni duke futur përtej rekomandimeve të OSBE/ODIHR edhe hapjen e debatit kombëtar për ndryshimet sistemit zgjedhor, përfshirë këtu ndryshimet e nevojshme kushtetuese, nuk është bërë asgjë në këtë komision. Maxhoranca socialiste nuk ka treguar asnjë vullnet për një reformë gjithëpërfshirëse dhe tërësore zgjedhore”, tha Gjoni.

kuvend

SOCIALISTËT

Kryetari i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, ka sqaruar dy deputetët e opozitës së re se nuk bëhet fjalë për asnjë dashuri mes tyre me Bashën. Balla tha se adresimi i rekomandimeve të ODHIR është detyrë, ndërsa kërkesa e vetme e PS-së, sipas tij, është votimi i emigrantëve.

“Ne kemi pasur vetëm një çështje për Reformën Zgjedhore, votën e emigrantëve. Votën e emigrantëve e kemi kërkuar dhe e kërkojmë. Paraardhësit tuaj nuk e duan këtë çështje. Sa u përket rekomandimeve të OSBE/ODHIR, janë detyrime, edhe teksa presim 17-18 tetorin për të kuptuar nga KE datën e mundshme të nisjes së bisedimeve. Rekomandimet e OSBE/ODHIR janë themelore. Nëse i referoheni frymës së Kushtetutës, merren për bazë rezultatet e fundit në zgjedhje. PD, LSI, rezultojnë të jenë parti parlamentare. Për këtë arsye, harroje ti që kam dashuri për Lulzim Bashën. Gjëja e fundit që mund të më akuzosh, kjo është. Por ama, kam respekt për historinë politike të këtij vendi dhe për vijueshmërinë e dialogut politik gjithëpërfshirës”, tha Balla.

kuvend2

Numri dy i Partisë Socialiste sqaroi dje në Parlament se përse ia ka lënë një vend me të drejtën e vetos, opozitës jashtëparlamentare. Duke iu përgjigjur akuzave të dy deputetëve të opozitës së re, Balla tha se në rekomandimet e fundit të OSBE/ ODHIR, PD dhe LSI rezultojnë parti parlamentare, ndaj janë përfshirë.

“Ndaj, në komisionin e Reformës i është lënë një karrige bosh Partisë Demokratike për të ushtruar të drejtën e saj për të dhënë propozime”, tha Balla. Ndërkohë, nga dita e djeshme, Komisionit të Reformës Zgjedhore i bashkohen edhe dy anëtarë të rinj, Adnor Shameti dhe Adriatik Alimadhi.


TË NGJASHME