HomePolitikë

Zbardhet debati për Reformën Zgjedhore

 Opozita ka gati draftin për identifikimin dhe votimin elektronik. Disa pika kryesore të kësaj çështjeje janë diskutuar dje në mbledhjen e grupit të punës së opozitës për Reformën Zgjedhore, që zgjati rreth dy orë në selinë blu.

Votimi elektronik ka qenë propozimi kryesor i PD-së edhe gjatë kohës që ishte e pranishme në Komisionin e Posaçëm të Reformës Zgjedhore në Parlament. Burime nga brenda mbledhjes pohuan  se anëtarët e opozitës janë të unifikuar në mendimin që suksesi i votimit elektronik nuk duhet të vijë nga një projekt pilot, por aplikim i tij në të gjithë vendin.

Në përfundim të mbledhjes me ekspertët e opozitës për Reformën Zgjedhore, ish-deputeti Oerd Bylykbashi foli për financimin e partive dhe fushatave. Sipas Bylykbashit, PD-ja dhe aleatët në draftin e tyre do të kërkojnë transparencë të financimit të partive dhe uljen e kostove të fushatave elektorale.

“Duhet t’u garantojmë shqiptarëve një transparencë të plotë të burimeve nga marrin partitë financim, burime të shëndosha se si ata shpenzojnë. Fushata zgjedhore nuk mund të jetë diçka e shtrenjtë, e cila u duket e papranueshme shqiptarëve, transparenca e raportimeve dhe më pas një kontroll efikas se kush ka shkelur ligjin të marrë pasojat përkatëse, siç ndodh në vendet e Europës”, tha Bylykbashi.

OSBE/ODIHR

Ish-deputeti i selisë blu, Oerd Bylykbashi, deklaroi dje para mediave se opozita do të rrisë intensitetin e punës për alternativën e tyre për Reformën Zgjedhore këtë javë, në mënyrë që të ketë një produkt sa më shpejt. Ndonëse nuk e tha në mënyrë të prerë se kujt do t’ia paraqesë opozita propozimet e saj, ish-deputeti Bylykbashi la të kuptohet se OSBE/ODIHR do të jetë ura lidhëse mes opozitës dhe maxhorancës.

“OSBE si organizatë dhe OSBE/ODIHR në mënyrë të veçantë ka dhënë një ndihmë dhe kontribut të vazhdueshëm jo vetëm ndër vite, por edhe kësaj radhe. Raporti i OSBE/ODIHR i 2019-ës është një nga dokumentet më unike për sa u përket zgjedhjeve në Shqipëri, për të na treguar rrugën, duke vënë gishtin në një nga problemet thelbësore. Partitë duhet të kuptojnë. Zgjedhjet janë për shqiptarët, për votuesit dhe partitë shërbejnë si agjentë përfaqësimi. Ajo që ndodh sot në Parlament nuk ka lidhje me këtë çështje”, vijoi Bylykbashi.

Nga ana tjetër, Bylykbashi akuzoi maxhorancën se ka vepruar përkundër rekomandimeve të OSBE/ODIHR. “Ishin ata që ngulën këmbë që zgjedhjet të zhvilloheshin pa marrë në konsideratë interesin e zgjedhësve dhe për rrjedhojë, të gjithë ne si aleatë të opozitës së bashkuar kemi për synim të ndryshojmë qasjen totale në raport me Reformën Zgjedhore dhe zgjedhjet”, tha Bylykbashi.

AKUZA

Bylykbashi tha se opozita është 100% e angazhuar për Reformën Zgjedhore, e cila ishte një nga 9 kushtet e Bundestagut gjerman, por ai akuzoi maxhorancën se nuk ka vullnet politik. Sipas tij, nëse Kryeministri do të kishte vullnet politik për të organizuar zgjedhje të ndershme, nuk do të ishte nevoja për një Reformë Zgjedhore. “Qëndrimi ynë është i qartë. Reforma Zgjedhore duhet të jetë e vërtetë dhe e plotë. OSBE/ ODIHR e thotë qartë. Ligji, Kodi Zgjedhor, legjislacioni është i mjaftueshëm për të bërë zgjedhje demokratike. Është e qartë që qeveria ka dështuar në mënyrë të qëllimshme për ta zbatuar atë e për rrjedhojë, duhet të gjenden mekanizmat për ta shtruar këtë”, tha ish-deputeti i PD-së.

Propozimet e PD për financimin e partive dhe reklamat

Financimi i partive është një nga problematikat kryesore, që po adresohen në alternativën e opozitës për Reformën Zgjedhore.

“Ndërhyrje ligjore, e cila siguron që financimi i partive politike dhe ai për zgjedhjet të jetë 100% nga buxheti i shtetit, me qëllim shmangien e financimeve private nga burime të dyshimta. Paralelisht me këtë, propozohet edhe kriminalizimi i financimeve private”, thuhet në pikën e parë të draftit të PDsë të siguruar nga gazeta “Panorama”. Partia më e madhe opozitare ngarkon Komisionin Qendror të Zgjedhjeve që të bëjë një listë kostosh reference të detyrueshme për materiale, infrastrukturë apo aktivitete zgjedhore, me qëllim matjen e shpenzimeve për një kandidat/parti në fushatën zgjedhore. Po ashtu, PDja kërkon që të përcaktohen kriteret e llogaritjes së financimit për një mandat, në mënyrë që të përllogaritet edhe buxheti vjetor i partive.

Partia Demokratike parashikon gjithashtu në draftin e saj uljen e shpenzimeve për mjetet e propagandës në fushatën zgjedhore. Ndërkohë, sa u përket reklamave në media, PD-ja propozon që ato të mos paguhen në mënyrë të drejtpërdrejtë, por kostoja e reklamave të zbritet nga detyrimet që mediat kanë ndaj shtetit.

“Marrja e masave që kostoja e kohës televizive dhe e reklamave të jetë ligjërisht e përcaktuar dhe e unifikuar. Njëkohësisht, përcaktimi i mekanizmave për të garantuar që kostoja e reklamave/ kohës televizive të mos jetë e pagueshme drejtpërdrejt, por të zbriten nga transmetuesit televizivë dhe radiofonikë nga detyrimet që i kanë shtetit”, thuhet në dokumentin e PD-së./panorama.al


TË NGJASHME