HomePolitikë

Zbardhet drafti i PS-së për ndryshime në Kodin Zgjedhor

Një ditë para mbledhjes së komisionit të posaçëm parlamentar për reformën zgjedhore, zbardhet drafti i PS për disa shtesa dhe ndryshime në Kodin Zgjedhor. Në draft i cili do t’i kalojë nesër për diskutim komisionit, PS ka përfshirë ndryshime në financimin e partive, si edhe forcimin e kompetencave te KQZ, por në këtë paketë propozimesh për Kodin Zgjedhore nuk është përfshirë depolitizimi i Komisioneve Zgjedhore.

Sa i takon shpenzimeve të fushatës zgjedhore, PS propozon një ndryshim në pikën 21 të nenit 1 në Kodin Zgjedhor. Pika 21 riformulohet si vijon: “21. Shpenzime të fushatës zgjedhore” janë shpenzime të bëra nga ose në emër të një partie politike të regjistruar si subjekt zgjedhor, përfshirë kandidatët dhe/ose degët e saj, ose nga një kandidat i pavarur, për të promovuar një parti, kandidatët e saj ose një kandidat të pavarur në zgjedhje, ose përpjekjen për të dëmtuar perspektivën e një partie tjetër, kandidatëve të partisë tjetër ose një kandidati të pavarur.” – thuhet në draftin e proprozuar.

Gjithashtu në ndryshimet e propozuar në draftin për Kodin Zgjedhor, PS ka vendosur të forcojë edhe më tej rolin e KQZ në fushatë zgjedhore, duke detyruar instuticionet publike qendrore dhe vendore, të raportojnë në KQZ të gjitha veprimtaritë me karakter publik që planifikojnë të zhvillojnë në periudhën gjashtë muaj para datës së zgjedhjeve deri ditën e zgjedhjeve.

“Në rast se KQZ-ja, kryesissht ose me kërkesë të të tretëve, konstaton nga informacioni sipas pikës 2 të ketij neni, se veprimtaria mund të përbëjë keqpërdorim të burimeve shtetërore, atëherë ajo urdhëron ndalimin e zhvillimit të saj. Ndalimi kryhet nëpërmjet vendosjes së shënimit “Ndaluar nga KQZ” në ndërfaqen e raportimit, në pjesën që i takon veprimtarisë. Shënimi “Ndaluar nga KQZ” vendoset jo më vonë se 24 orë nga raportimi. Informacioni sipas kësaj pike është i aksesueshëm nga të gjithë përdoruesit e ndërfaqes nga momenti i hedhjes së të dhënave deri në datën e shpalljes së rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve.” thuhet në draftin e PS.

Kodi

Komisioni i posaçëm parlamentar për reformën zgjedhore do mblidhet mëngjesin e së enjtes. Për t’i dhënë përgjigje prioriteteve të palëve të përfshira në këtë proces, janë ngritur tre grupe pune të përbërë nga anëtarët e këtij komisioni ad hoc, konstituimi I të cilave do jetë pikë e parë e rëndit të ditës në mbledhjen e së enjtes.


TË NGJASHME