HomeSociale

Zbardhet mesazhi që e identifikoi Balilin

Sekuestrimi i lëndës narkotike, disa përgjime telefonike dhe analiza e pasurisë së Kelment Balilit ishin faktet e paraqitura nga Prokuroria për Krime të Rënda, për të vërtetuar katër akuzat e ngritura ndaj tij, ndërsa kërkoi në fund dënimin me 18 vite burg.

Por, për shkak të gjykimit të shkurtuar pranuar nga Gjykata në fillim të procesit, në rast të shpalljes fajtor, Balili do të dënohej me 12 vite burg.

Gjatë seancës së djeshme, teksa ishte edhe vetë i pandehuri për më shumë se një orë, u dëgjuan konkluzionet e hetimeve, ku prokurori Ened Nakuçi kërkoi shpalljen e fajshëm për katër akuzat e ngritura dhe dënimin me 10 vite për “Trafikim të lëndëve narkotike”, 5 vite për “Grup të strukturuar kriminal”, 5 vite për “Pastrim parsh” dhe 6 muaj për “Fshehje të pasurisë”.

Sipas prokurorit Ened Nakuçi, hetimet për grupin, pjesë e të cilit dyshohet se ishte edhe Balili, kanë nisur pas një episodi të dështuar të trafikimit të lëndës narkotike me kamion drejt Bullgarisë. Pas kësaj, autoritet nisën hetimet për të shkatërruar muaj më vonë këtë grup dhe arrestuar 15 persona nga pala greke. Ndër ta edhe dy shqiptarë, skafistët të cilët Prokuroria pretendon se i pandehuri i drejtonte me anë të telefonit për të dorëzuar lëndën narkotike të 687.5 kilogramëve në një ishull në Greqi.

Është pikërisht ky episod, për të cilin Prokuroria për Krime të Rënda ka ngritur akuzë ndaj Balilit dhe pretendon se ai është në rolin e organizatorit. Prokuroria pretendon se kjo vërtetohet nga përgjimet telefonike të shtetasit Petro Dalanaj me personin që identifikohet me emrin Keli. Referuar prokurorit Nakuçi, ky i fundit është Kelment Balili. Në bisedat e përgjuara dëgjohet se si personi me emrin Keli udhëzon Dalanajn se ku duhet të shkojë me skaf, rrugën që duhet të ndjekë dhe orën se kur do të niset.

“Bazuar në këto përgjime dhe në faktin se është sekuestruar sasia e lëndës narkotike në ishullin grek, akuza e trafikimit është e bazuar”, tha Nakuçi. Më tej, prokurori shpjegoi edhe mënyrën se si është identifikuar që Keli është pikërisht i pandehuri. Në një nga mesazhet e përgjuara, ky shtetas i ka dërguar një presoni në Greqi numrin e pasaportës, i cili përkon me atë të pasaportës së Kelment Balilit. Referuar pretencës, autoritetet greke e identifikonin këtë person si shqiptarin me emrin Keli dhe që ishte pronar i një hoteli.

Shtetasi grek i dërgon ish-zyrtarit Balili një mesazh me tekst: “Vëlla, më dërgo numrin e pasaportës tënde”. Ndërkohë, shtetasi i identifikuar si Keli ia dërgon dhe shkruan se ia ka nisur atë. Kështu, thotë Nakuçi, nuk ka dyshime se Keli është Kelment Balili dhe se ai ka qenë pjesë e këtij grupi. Ndërkohë, në seancën e djeshme, përfaqësuesi i Akuzës lexoi edhe disa përgjime të bëra familjarëve të njërit prej skafistëve të arrestuar dhe në këto përgjime, ata shprehen se Balili ishte i rëndësishëm dhe se kishte një jetë që merrej me këtë punë.

“Kishte një jetë që merrej me ato gjëra, kishte krijuar mrekullira, suita për çifte”, ishte një prej përgjimeve të lexuara nga Nakuçi. Më tej, prokurori pretendoi se nga një analizë që i është bërë pasurisë së ish-zyrtarit, ka rezultuar se ai kishte fshehur pasurinë, ka bërë deklarime të rreme dhe kishte dyshime të arsyeshme se ka pastruar elemente të veprës penale.

VETËDORËZIMI

Më 15 janar të këtij viti, i konsideruar si i shumëkërkuari, Kelment Balili iu dorëzua drejtësisë, ndërsa pretendon pafajësi. Pas 2 vitesh në arrati, Balili vendosi të dorëzohej një ditë pasi Prokuroria për Krime të Rënda kishte dorëzuar dosjen në Gjykatë dhe kërkonte ta merrte të pandehur. Në prani të nipit të tij, Balili takohet me drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, Ardi Veliu, në një fushë që ndodhet mes Delvinës dhe Finiqit, rreth 3 kilometraa larg fshatit Stjar, ku jeton familja e tij. Para një ndërtese të vjetër, që dikur ka qenë pulari.


TË NGJASHME