HomeSociale

Zbardhet rregullorja, si do përzgjidhet Kryeprokurori

Këshilli i Lartë i Prokurorisë tashmë është duke pritur interesimin e prokurorëve për Prokuror të Përgjithshëm, teksa shpalli dje hapjen zyrtare të garës.

Në mbledhjen e zhvilluar dje, KLP-ja shpalli fillimin e procedurës për përzgjedhjen e kandidatëve për Prokuror të Përgjithshëm, ndërsa bëri të ditur edhe kriteret që duhet të plotësojnë prokurorët që të kandidojnë.

Sipas rregullores së miratuar disa javë më parë, prokurori që do të kandidojë për të marrë drejtimin e organit qendror të akuzës duhet të ketë: 15 vjet përvojë pune si jurist i spikatur; të jetë diplomuar në Shkollën e Magjistraturës ose të ketë gradë shkencore në drejtësi; të mos ketë mbushur moshën e daljes në pension; të mos ketë mbajtur gjatë 10 viteve të fundit, para dorëzimit të shprehjes së interesit për Prokuror të Përgjithshëm, funksione politike në administratën publike; të mos ketë mbajtur gjatë 10 viteve të fundit pozicione drejtuese në partitë politike; të mos kenë qenë anëtarë, bashkëpunëtorë ose të favorizuar të ish-Sigurimit të Shtetit para 2 korrikut 1991; të mos kenë qenë dënuar më parë me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një vepre penale; të mos kenë qenë bashkëpunëtorë, informatorë ose agjentë të shërbimeve të inteligjencës dhe të mos kenë masë disiplinore në fuqi.

PËRZGJEDHJA

Referuar rregullores së miratuar nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë, përzgjedhja e kandidatëve që do t’i përcillen Kuvendit për votim, do të bëhet në bazë të një procesi pikëzimi. Vlerësimi i kandidatëve, fillimisht do të bëhet nga vetë KLP-ja, ndërsa kandidatët që duhet të kalojnë kontrollin e trefishtë të vetingut do pritet të hetohen në të tria kriteret. Pasi institucionet përkatëse përfundojnë vlerësimin e tyre, Këshilli do të zhvillojë seanca dëgjimore me secilin kandidat, që është vlerësuar pozitivisht nga institucionet ndihmëse dhe KPK-ja.

Në këto seanca dëgjimore, kandidatët për Prokuror të Përgjithshëm do përballen me raportin e Këshillit. Raporti do trajtojë në mënyrë të hollësishme dhe të justifikuar të gjitha kriteret e vlerësimit.

Pas raportimit do t’i jepet fjala kandidatit, i cili ka në dispozicion 10 minuta për të bërë një prezantim dhe pas prezantimit, anëtarët e KLP-së kanë të drejtë të drejtojnë pyetje për vlerësimin profesional e moral të kandidatit. Pas përfundimit të seancës dëgjimore, Këshilli zhvillon një seancë të mbyllur për të vlerësuar cilësitë e secilit kandidat. Këshilli do të shqyrtojë çdo dokument të nevojshëm, për të vlerësuar kandidatin.

Brenda 24 orëve nga seanca e fundit dëgjimore, Këshilli përpunon të dhënat dhe harton tabelën përfundimtare të vlerësimit të kandidatëve. Këshilli i rendit kandidatët sipas pikëve të marra, duke filluar nga kandidati që ka marrë më shumë pikë. Në rastet kur kandidatët kanë pikë të barabarta, ata do të listohen në bazë të vjetërsisë në profesion dhe në përvojën profesionale.


TË NGJASHME