HomePolitikë

Zbardhet takimi i kandidatit të ”Bindja Demokratike” me Berishën

Vendimi për tërheqjen nga kandidimi në zgjedhjet vendore për Bashkinë e Lezhës i kandidatit të Bindja Demokratike, Salvador Kaçaj erdhi pas një takimi me ish-kryeministrin Sali Berisha.

Gazeta “Panorama” ka siguruar foto të takimit që ish-krye bashkiaku i Shëngjinit, Kaçaj zhvilloi ditën që i dorëzoi Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve dorëheqjen nga gara për zgjedhjet vendore. Në takim bashkë me Salvador Kaçaj ka qenë edhe kreu i Partisë Demokratike në degën e Kurbinit, Behar Haxhiu dhe analisti Agron Gjekmarkaj.

I propozuar nga Partia Bindja Demokratike si kandidat në Bashkinë e Lezhës, Kaçaj dorëzoi tre ditë më parë dorëheqjen nga gara duke deklaruar publikisht se nuk mund të shërbej si fasadë në zgjedhjet vendore. “Unë nuk mund të shërbej si fasadë e përpjekjes për të rikthyer në Shqipëri një regjim një partiak, të përzier me krimin. Është bindja ime më e thellë se zgjedhjet farsë, pa opozitën e vërtetë në 30 Qershor do të ishin shkatërrimtare për qytetarët e Lezhës dhe të të gjthë Shqipërisë. Jo gjithmonë kam përkrahur vendimet politike të Partisë Demokratike, por gjykoj se beteja e opozitës për zgjedhje të lira e të ndershme është e drejtë dhe duhet përkrahur pa asnjë rezervë. Kjo e bën sot Partinë Demokratike të vetmen alternativë që përfaqëson realisht vlerat evropiane”, deklaroi Kaçaj.

Deri tani nga emrat e propozuar nga Bindja Demokratike në zgjedhjet vendore janë tërhequr veç Kaçaj edhe kandidatët e Skraparit dhe Kavajës./panorama.al


TË NGJASHME