HomeSociale

Zbardhet takimi mes Presidentit dhe ministres Manastirliu

Presidenti i Republikës Ilir Meta ka zhvilluar sot një takim me ministren e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu në kuadër të numrit të lartë të të prekurve me COVID-19 në vendin tonë.

Manastirliu është shprehur se në zbatim të strategjisë së hartuar dhe propozimeve të Komitetit Teknik të Ekspertëve, janë marrë masat për sigurimin e mjeteve të mbrojtjes personale, rritjen e kapaciteteve të testimeve, kapaciteteve spitalore dhe burimeve njerëzore.

“Strategjia që po ndjekim ka nevojë për bashkëpunimin e qytetarëve për të përballuar situatën e shkaktuar si pasojë e COVID-19. Vetëm nëpërmjet zbatimit të masave dhe protokolleve, nëpërmjet shembullit personal, do të mundemi t’ia dalim së bashku, edhe në këtë fazë të pandemisë”, – tha Manastirliu.

Nga ana tjetër Meta shprehu falenderim dhe mirënjohje për të gjithë mjekët, infermierët dhe personelin mbështetës që janë duke shërbyer me profesionalizëm dhe përkushtim maksimal në vijën e parë të frontit.

Ai theksoi rëndësinë e mbështetjes së sektorit të shëndetësisë me buxhetin e duhur, si dhe nevojën e rritjes së masave mbrojtëse për mjekët.

Gjithashtu Meta nuk harroi t’i bënte një tjetër apelo qytetarëve për respektimin e udhëzimeve të bëra publike, për ruajtjen e distancave fizike dhe mbajtjes së maskave, veçanërisht me afrimin e pikut të sezonit të ri turistik.

Presidenti Meta dhe Ministrja Manastirliu theksuan se “është me rëndësi jetike rritja e efikasitetit të masave mbrojtëse, përmes ndërgjegjësimit, transparencës, gjithëpërfshirjes dhe rritjes së frymës së bashkëpunimit, pasi objektivi madhor i përbashkët duhet të jetë vetëm mbrojtja e shëndetit të qytetarëve dhe ekonomisë kombëtare”.

K.S/GotaNews


TË NGJASHME