HomeLajmi i Fundit

Zbulohen emrat e 4 të dënuarve të tjerë të “pikasur” nga OFL

Operacioni Forca e Ligjit vijon pa ndërprerë, ndërsa kësaj radhe ka shkuar në Durrës duke iu kërkuar burimet e pasurisë 4 të dënuarve: Nek (Skënder) Driza, Arjan Kapo, Arben Plaku, Eduart Myftari si dhe një tjetri në Korçë, shtetasit Kastriot Maksuti.

Në kuadër të zbatimit të Ligjit Special për masat pasurore ndaj individëve të dënuar apo akuzuar për krim të organizuar apo krime të rënda, OFL i ka nisur kërkesat me shkrim për vetëdeklarimin e burimeve të pasurisë, shtetasve:

K. M., banues në Korçë, i dënuar nga Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë, me burgim të përjetshëm, për veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese” dhe “Armëmbajtja pa leje”;

N. (S.) D., banues në Durrës, i dënuar nga Gjykata e Krimeve të Rënda, për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve, kryer në bashkëpunim”;

A. K., banues në Durrës, i dënuar nga Gjykata e Durrësit, për veprën penale “Shfrytëzimi i prostitucionit në rrethana rënduese”;

A. P., banues në Durrës, i dënuar nga Gjykata e Durrësit, për veprën penale “Shfrytëzimi i prostitucionit në rrethana rënduese”;

E. M., banues në Durrës, i dënuar nga Gjykata e Durrësit, për veprën penale “Vjedhja me armë”.

Këta individë, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së dhe më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, për veprime të mëtejshme.

OFL është në veprim të pandërprerë dhe në kryerje të veprimeve komplekse për vendosjen e sekuestrove emergjente mbi pasuritë e dyshuara të përfituara nga krimi, si dhe për dërgimin e formularëve të vetëdeklarimit të gjithë personave që janë subjekt i Ligjit Special.

OFL do të informojë publikun në vijimësi për të gjitha nismat procedurale dhe operacionet ekzekutive që do të kryejë.