HomeShowbiz

Zbuloni yjet e kinemasë turke me origjinë shqiptare

Serialet turke, të cilat njihen me emrin dizi, po pushtojnë gjithnjë e më shumë botën. Për aq kohë sa komentohen gjerë e gjatë dhe transmetohen vazhdimisht në televizionet shqiptare, sigurisht që rritet edhe interesi për aktorët më të përfolur të kinemasë turke. Për shkak të emigracionit masiv të shqiptarëve drejt Turqisë, kryesisht aty rreth viteve 1923-1939, nuk është çudi që një pjesë e konsiderueshme e aktorëve më të përfolur të momentit, të kenë origjinë shqiptare.

KIVANNC TATLITUG

Kivannc Tatlitug lindi në Adana, qytet në Turqi, dhe gjatë një interviste për CNN, deklaroi se i ati ishte shqiptar nga Prishtina. Kivanç, i cili njihet si Brad Pitt i kinematografisë turke, është një nga aktorët më të paguar në Turqi dhe një ndër më të vlerësuarit. Që prej vitit 2002, Tatlitug ka fituar pothuajse të gjitha çmimet ku është nominuar, si “Aktori më i mirë”, “Aktori më i mirë i vitit”, “Aktori më i suksesshëm i vitit”, “Aktori më i preferuar në serialet televizive” etj.

HALIT ERGENÇ

Halit Ergenç, i njohur më së shumti përmes rolit të tij në serialin e famshëm “Sulejmani i Madhërishëm”, ka lindur në Stamboll. Gjyshja e tij ishte me origjinë shqiptare dhe gjatë një interviste aktori u shpreh: “Mund ta them me plot gojën se në damarët e mi ka gjak shqiptari.”

ENGIN ALTAN DUZYATAN

Engin Altan Duzyatan lindi në Izmir, Turqi, por familjarët nga ana e babit kanë qenë emigrantë shqiptarë nga Prishtina, ndërkohë që pjesa tjetër janë emigrantë turqë nga ish-Jugosllavia. Në mediat turke, Duzyatan nuk e ka mohuar origjinën shqiptare, duke u shprehur se ka një lidhje të fortë me Shqipërinë. Aktori fitoi famë përmes rolit të tij në serialin e famshëm “Ertugrul”, në të cilin luajti nga 2014 deri në 2019-n.

CAN YAMAN

Can Yaman, me profesion avokat, është aktor i njohur në Turqi, i cili lindi në Stamboll, por ka origjinë shqiptare. Gjyshi i tij nga i ati ishte emigrant shqiptar nga Kosova, ndërkohë që gjyshja emigrante nga Maqedonia e Veriut. Aktori fitoi famë përmes rolit në serialin “Ekenci Kus”.

BARIS ARDUÇ

Baris Arduç ka lindur në Zvicër në një familje me origjinë shqiptare. Origjina e familjes së nënës së tij është nga Vlora. Baris u transferua në Turqi në moshën 8-vjeçare. Ai fitoi famë përmes serialit “Dashuri me qira”.  “Kuzgun”, në të cilin ka rol protagonist, është një tjetër serial i suksesshëm turk.

TOLGAHAN SAYISMAN

Tolgahan Sayisman, bashkëshorti i Almeda Abazit, ka lindur në Stamboll. Tolgahan ka origjinë shqiptare; gjyshi nga i ati ka qenë emigrant shqiptar që u vendos në Izmir duke emigruar përmes Selanikut, Greqi, ndërsa gjyshja ishte emigrante shqiptare nga Maqedonia e Veriut. Përveç kinematografisë, ku ka marrë pjesë në disa prodhime turke si aktor dytësor edhe si protagonist, Tolgahan i është përkushtuar edhe modelingut.

DENIZ BARUT

Deniz Barut është një tjetër aktore turke e njohur për rolet në  “The Yard”, “Black Money Love” dhe “Kaybolan Yillar”. Biografia e saj në internet është e vakët, megjithatë përmes një postimi në Instagram, aktorja ka treguar se është me origjinë shqiptare, të paktën nga ana e babait.

“Babi im i dashur. Babi im i fortë. Ti sot ke ditëlindjen. Uroj që bashkë të kemi shumë vite plot dashuri dhe shëndet. Të qëndrosh kurdoherë i fortë, kurdoherë me ne, si shqiptar inatçi që je. Të dua babi (e përktheva me Google Translate, shpresoj mos kem gabuar.”

NIK XHELILAJ

Nik Xhelilaj (ëmbëlsira për në fund) është i vetmi që përbën përjashtim, pasi ndryshe nga aktorët e tjerë, Niku ka lindur dhe është rritur në Shqipëri, nga dy prindër nga Shqipëria e Jugut, i ati nga  Vlora, ndërsa nëna nga Tepelena. Po kështu, Xhelilaj, i lindur në Tiranë, u formua artistikisht në Shqipëri përmes studimit për aktrim në Akademinë e Arteve.

Nik Xhelilaj ka qenë një ndër artistët që është vlerësuar përpara se të niste karrierën ndërkombëtare në Gjermani dhe Turqi. Pas sukseseve dhe vlerësimeve positive për rolet në filmat ”Trishtimi i zonjës Shnajder’’, ”Der Albanian’’, ”Alive”, ai nisi bashkëpunimet me prodhimet gjermane dhe turke një një sërë projektesh si ”Her Sevda Bir Veda’’, ”Kayip Sehir-Lost City’’, ”Winnetou’’ etj. Në rolin e tij të fundit në serialin “Nefes Nefese”, Niku luan rolin e një shqiptari nga Kosova.


TË NGJASHME