Aktualitet Lajme Politikë

Zëri i Amerikës: Çfarë nuk ka shpjeguar nga pasaporta kryebashkiaku i Vorës

Në Shqipëri Parti Demokratike publikoi sot të dhëna që sipas saj vërtetojnë në mënyrë të pakontestueshme se personi me emrin Jorgo Toto, i arrestuar në Greqi në vitin 2003 është pikërisht kryebashkiaku i Vorës, Agim Kajmaku. Numri i pasaportës në dokumentat e autoriteteve greke, korrespondon me atë që zoti Kajmaku ka nxjerrë në Shqipëri nën emrin Jorgo Toto. Megjithatë, kryebashkiaku mohoi sot sërish akuzat.

Duket se dhe për kryebashkiakun socialist të Vorës, alibitë për të mohuar arrestimin e tij në Greqi, kanë rënë. Dje pas publikimit nga ana e Partisë Demokratike të dokumentave të autoriteteve greke për arrestimin në Janar të viti 2003 të një personi me emrin Jorgo Toto,i cili është dhe identiteti që zoti Kajmaku ka pranuar se ka mbajtur që prej vitit 1996, në mënyrë që të siguronte vizë për në shtetin grek, kryebashkiaku i Vorës, mohoi në mënyrë kategoriketë jetë përfshirë në trafiqe apo krim. Elementi i cili linte ende disa hije dyshimi, ishte fakti që personi Jorgo Toto i arrestuar në Janinë, kishte atësi dhe mëmësi të ndryshme nga ato të zoti Kajmaku, i cili kishte deklaruar se i kishte mbajtur ato të pandryshuar dhe kur ndërroi identitetin e tij.

Por sot Partia Demokratike publikoi një fakt i cili duket se shuan çdo mëdyshje. “Në momentin e arrestimit Jorgo Toto ka patur me vete pasaportën e tij, e cila ka një numër unik identifikimi dhe e cila është regjistruar në vendimin për arrestimin e Jorgo Totos. Në faqen 13 të këtij vendimi, të publikuar dje, thuhet se shtetasi i arrestuar për krimin që dënohet me jo më pak se 10 vjet burgim, është shtetasi shqiptar Jorgo Toto që posedon pasaportën me nr. Z 0148497”, u shpreh zoti Gazmend Bardhi, Sekretar i Përgjithshëm i PD-së, duke treguar dokumentat.

Pikërisht këtë numër pasaporte Partia Demokratike e ka ballafaquar me pasaportën e lëshuar në Shqipëri për zotin Kajmaku, nën emrin Jorgo Toto, të dhënat e së cilës janë të hedhura në sistemin shtetëror TIMS. “Këtë dokument autentik ne e posedojmë dhe, nëpërmjet tij, provojmë në mënyrë të pakundërshtueshme se Agim Kajmaku i Bashkisë së Vorës është Jorgo Toto, i arrestuar në vitin 2003 në Greqi. Sipas sistemit shtetëror TIMS, Agim Kajmaku (që është ekzaktësisht personi që shikoni në foto), kur ka patur emrin Jorgo Toto, i datëlindjes 06.07.1971, i biri i Imer dhe Maxhe, ka qenë posedues ekzaktësisht i pasaportës me Nr. Z 0148497. Kjo është një provë e pakontestueshme që Jorgo Toto i arrestuar në Greqi me pasaportën me nr. Z 0148497, është Jorgo Toto, me pasaportën me nr. Z 0148497, dhe që sot mban emrin Agim Kajmaku”, tha zoti Bardhi duke treguar dokumentin dhe me foton e zotit Kajmaku.

Zoti Bardhi lëshoi sot akuza dhe në drejtim të Prokurorisë e cila ka bërë të ditur se i ka kërkuar kryebashkiakut të Vorës depozitimin e shenjave të gishtave. Por sipas drejtuesit demokrat, ligji përcakton se ato merren në sistemin e të dhënave shtetërore biometike të shtetasve shqiptarë, dhe se i kërkohen personit, që t’i depozitojë, vetëm nëse nuk ndodhen në sistem, ndërkohë që oti Kajmaku është i pajisur me një pasaportë biometrike.

Kryebashkiaku i Vorës, ashtu si dhe dje mohoi sërish akuzat, duke përsëritur se nuk është arrestuar dhe as dënuar në Greqi dhe se e vërteta është me të, duke publikuar dhe pasaportën me emrin Agim Kajmaku, me hyrje daljet nga Greqia në muajin maj të këtij viti. Megjithatë ai nuk ka shpeguar se si mundet që pasaporta e personit të arrestuar korrespondon në numër me atë të mbajtur prej tij me emrin Jorgo Toto.

/VOA/

Related posts

Lideri i ISIS-it paraqitet publikisht për herë të parë në pesë vjet

Anxhela news

Kalimi i dosjes 184 në Dibër, flet Mustafaj

Mila

Përleshja në polici, ish-deputetët e PD sot para Prokurorisë

Xhensila Gotanews
Na Kontaktoni!