HomePolitikë

Zgjedhjet e 13 tetorit, LSI dhe PR dorëzojnë kërkesën për regjistrim

Lëvizja Socialiste për Integrim dhe Partia Republikane ka dorëzuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve kërkesën për regjistrim në zgjedhjet lokale të 13 tetorit. Kërkesa është depozituar sot, që është edhe afati i fundit për regjistrim bazuar në Kodin Elektoral.

Pas shfuqizimit të 30 qershorit, presidenti Ilir Meta dekretoi 13 tetorin si datë zyrtare për zgjedhjet lokale. Vendimi nuk u njoh dhe u hodh poshtë nga Partia Socialiste, që së bashku me disa parti të vogla hynë në zgjedhjet lokale të përcaktuara fillimisht nga presidenti.

Opozita i braktisi ato zgjedhje dhe sot paraqitet e përçarë përballë dekretit të 13 tetorit. Dy partitë opozitare, LSI dhe PR dorëzuan kërkesën për regjistrim, ndërsa Partia Demokratike nuk ka marrë ende një vendim zyrtar.

Kryetari Lulzim Basha tha se është e drejta e çdo partie për t’u regjistruar ose jo në zgjedhjet e 13 tetorit, ndërkohë që ai vetë nuk tërhiqet nga kërkesa për largimin e Edi Ramës nga posti i kryeministrit, për të negociuar më pas hyrjen në zgjedhje.


TË NGJASHME