HomeLajme

“Zoti ekziston. E quajnë Petrunija”, më i miri në festivalin “Dea”

Me mbrëmjen tradicionale gala, të organizuar në hollin e Universitetit të Arteve u mbyll edicioni i gjashtë i festivalit ndërkombëtar të filmit “Dea Open Air 2019”.

Çmimi “Dea” për filmin më të mirë me metrazh të gjatë iu akordua filmit “Zoti ekziston. E quajnë Petrunija” (Teona Mitevska- Maqedoni 2018). Çmimi “Dea” për filmin e shkurtër më të mirë shkoi për filmin “Më fal” (Besim Ugzmajli- Kosovë 2018). Çmimi “Dea” për filmin më të mirë dokumentar për filmin “Prosphenes” (Frank Ravel- Belgjikë 2018). Çmimi “Dea” për filmin më të mirë studentor ishte për “Nadja” (Abraham Joseph/Monty Majeed- Republika Çeke 2018).

Fitues i çmimit special të medias në konkurimin e filmit të shkurtër u shpall “Lajm i rremë” (Dimitris Katsimiris- Greqi 2018), ndërsa çmimi special i medias në konkurimin e filmit të gjatë shkoi për “Një tregim Prishtine” (Burbuqe Berisha- Kosovë 2019).

Programi i filmit me metrazh të gjatë përfshiu filma nga Gjermania, Spanja, Kosova, Italia, Maqedonia dhe Rumania. Në qendër të vëmendjes ishte kriza e personalitetit në rrugën e suksesit, statusi i marrëdhënieve mes të rinjve në adoleshencë, sfida e individit midis traditës, komunitetit dhe dëshirës për vetërealizim, e drejta e njeriut për lumturi pavarësisht statusit, gjinisë, zhvillimit apo formimit, marrëdhëniet e individit me vetveten dhe tema e gjithëgjendur e luftës për ekzistencë dhe shëndet.

Konkurrimi në filmin me metrazh të gjatë u ndoq nga juria e përbërë nga Klaudia Landsberger (Holandë), Elia Zaharia (Shqipëri), Belkis Bayrak (Turqi), Anke Hoevig (Gjermani), Valmira Hyseni (Kosovë). Për çmimin “Dea” për aktoren më të mirë në filmin me metrazh të gjatë fituese u shpall Zorica Nusheva. Për çmimin “Dea” për aktorin më të mirë në filmin me metrazh të gjatë, fitues u shpall Donat Qosja.“Dea e mirënjohjes” për kontribut të spikatur në fushën e kinemasë, iu akordua regjisorit Dhimitër Anagnosti. “Dea homazh”, në shenjë nderimi për veprën e Kiço Blushit.

Çmimi “Leonard Qëndro” për një karrierë premtuese në kinematografi shkoi për regjisoren rumune Camelia Popa. Për të marrë pjesë në seksionet e “Dea Open Air International Film Festival 2018” aplikuan mbi 1000 filma me metrazh të gjatë, 70 prej të cilëve nga 67 vende të botës u bënë pjesë e festivalit në të gjitha seksionet e tij.


TË NGJASHME