HomeRajon

Zvicër/ Publikohet raporti i të burgosurve, 3 në 4 prej tyre janë të huaj

Gjatë vitit 2018 në të gjitha institucionet korrektuese (burgjet e të gjitha llojeve) të Zvicrës, janë pranuar 51.500 persona, që i bie nga 6 veta në çdo orë.

Numri i të burgosurve në burgjet zvicerane ka mbetur stabël gjatë vitit të kaluar, thuhet në raportin më të ri vjetor të Zyrës Federale për Statistik, të publikuar sot. Në fund të janarit 2019 në këto burgje ka pasur 6943 “banorë” të moshës madhore, numër ky i përafërt me atë të një viti më parë, shkruan srf.ch.

Gjysma e të burgosurve, sipas raportit në fjalë, janë në pritje të shpalljes të plotfuqishme të dënimeve që kanë marrë, transmeton albinfo.ch. Statistika tregon se vetëm 396 ose 5.7% nga rreth 7000 të burgosur, janë të gjinisë femërore. Ndërsa, ashtu sikurse edhe në vitet e kaluara, afër tri të katërtat e të burgosurve, ishin të huaj.

Sipas raportit, gjatë vitit 2018 nga burgjet e tipit të mbyllur kanë ikur 8 persona. Për 3 prej tyre nuk ka asnjë gjurmë. Ndërsa nga burgjet e tipit të hapur ose nga repartet e hapura të burgjeve të mbyllura janë arratisur 152 persona. 28 prej tyre janë kthyer vullnetarisht në burg ndërsa 13 janë ende në arrati. Të tjerët janë kapur brenda periudhave të ndryshme dhe janë sjellë sërish në burg. Po ashtu sipas këtij raporti, gjatë vitit të kaluar, në burg kanë vdekur 12 persona, 6 prej të cilëve kanë bërë vetëvrasje.


TË NGJASHME