HomeAktualitet

Zyrtare, KE rekomandon hapjen e negociatave me Shqipërinë

Shefja e politikës së Jashtme në Komisionin Europian, Federica Mogherini ka deklaruar nga Brukseli miratimin e paketës së zgjerimit të 7 vendeve në Ballkanin Perëndimor, duke rekomanduar hapjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë.

Ajo ka thënë se ky është një rekomandim i merituar dhe i pakushtëzuar, që vjen si pasojë e plotësimit të disa detyrave të shtëpisë që kishin për të kryer vendet partnere.

“Secili vend dhe partner do të vlerësohet sipas vlerave që ka treguar gjatë kësaj kohe. Ballkani Perëndimor është Europë dhe do jenë pjesë e së ardhmes së BE, në një bashkim të fortë e stabël. Kjo është përgjegjësi e përbashkët e rajonit, ky është momenti ku njohim ndryshime pozitive, ku ka proces të pakthyeshëm, – tha Mogherini. – Gjatë vitit të kaluar partnerët në rajon kanë kryer reforma të rëndësishme në të gjitha fushat dhe kanë modernizuar ekonomitë e tyre. Nga 6 partnerët, Serbia e Mali i Zi kanë kryer përparime në negociata. Rekomandojmë hapjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë. Po punojmë për Bosnjën dhe me qeverinë kosovare për marrëveshjen e stabilizim asociimin. Ky është një proces, ndaj dhe ruajtja e reformave aktuale duhet të vijojë në të gjitha fushat. Gjatë 3 viteve të fundit kemi parë rezultatet që dukeshin të pamundura pë tu arritur kur nisëm mandatin tonë”, – shtoi Mogherini.

Të njëjtën linjë ka mbajtur edhe kreu i Komisionit Europian, Johannes Hahn, duke pranuar progresin që ka bërë Shqipëria dhe Maqedonia para çeljes zyrtare të negociatave.

“Kemi parë një dinamizëm të madh nga vendet e Ballkanit. Raportet e sotme, janë një kontroll i gjendjeve të këtyre vendeve, duke i krahasuar me paketën e tyre të reformave ekonomike që del në pranverë, – tha komisionari Hahn. – Jam i kënaqur që komisioni e pranoi rëndësisë dhe fokusin e reformave që janë bërë nga Shqipëria dhe Maqedonia për hapjen e negociatave, por duhet të ruhet ritmi aktual i reformave, sidomos për 5 prioritetet kyçe, si administrata publike, lufta kundër korrupsionit, gjyqësori etj. Në drejtësi kemi parë rezultate të prekshme, i famshmi Vetting, por ne e dimë që është fillimi i këtij procesi, por e shohim se është mjaft premtuese, ndaj rekomandimi është i arsyeshëm dhe i justifikuar”.

Sipas Hahn, Shqipëria dhe Maqedonia “kanë bërë shumë gjatë 2 muajve të fundit dhe duhet të njihet puna e tyre, pra nëse japin arritje, ne duhet t’i realizojmë. I takon tashmë këshillit pastaj të vlerësojë dokumentet tona”/gazeta-shqip.com


TË NGJASHME